Rreth 250 studentë të drejtësisë nga 13 universitete në vend kanë përfunduar një program trajnimi të fokusuar në ndihmën ligjore të garantuar nga shteti, duke u njohur më nga afër me mekanizmat që sigurojnë akses në drejtësi për qytetarët.

Përmes një qasjeje të kombinuar teorike dhe praktike, studentët u trajnuan mbi ndihmën juridike parësore dhe dytësore, si dhe mbi rolin e rëndësishëm që luajnë Klinikat e Ligjit në mbështetjen e shtresave në nevojë.

Programi synon jo vetëm përgatitjen akademike, por edhe përfshirjen aktive të të rinjve në sistemin e drejtësisë. Në këtë kuadër, studentët janë ftuar të angazhohen në një praktikë 3-mujore pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, duke fituar eksperiencë konkrete në terren.

Në përfundim të praktikës, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë vlerësimi nga Ministri i Drejtësisë, si një hap i rëndësishëm në formimin e tyre profesional.