Forcat Operacionale të Burgjeve kanë zbarkuar sot në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku zhvilluan kontrolle të imtësishme. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve, operacioni është zhvilluar nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.

Kontrrollet u ushtruan në qeli, godinat e takimeve dhe të punës, bibliotekën, palestrën, ambientet e observimit, regjimin “41-bis”, ambientet e ajrimit. Gjatë aksionit janë sekuestruar një sërë sendesh të ndaluara, përfshirë mjete të improvizuara prerëse, kabuj dhe materiale të tjera të palejuara, si dhe janë evidentuar qarqe të modifikuara elektrike. Po ashtu raportohet se në disa qeli janë gjetur doza kokaine si dhe janë transferuar dy të burgosur të përjetshëm, emrat e të cilëve ende nuk bëhen me dije.\

NJOFTIMI:

Aksion i gjerë kontrolli në IEVP Peqin

Në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Adriatik Kupi dhe Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta, u zhvillua një kontroll i gjerë për sende të ndaluara.

Kontrolli u ushtrua nga forcat operacionale dhe speciale të DPB, të mbështetura nga forcat e sigurisë së IEVP-ve Fier, Vlorë, Korçë, Berat, Rrogozhinë, Elbasan, Jordan Misja, Shkodër, Burrel, Fushë-Krujë dhe Durrës.

Gjatë operacionit u përdorën mjete të avancuara si detektorë specialë, dronë monitorimi, qen anti-drogë dhe skanerë.

Kontrolli përfshiu të gjitha ambientet: sektorët e banimit, godinat e takimeve dhe të punës, bibliotekën, palestrën, ambientet e observimit, regjimin “41-bis”, ambientet e ajrimit, godinat përreth dhe brezin e butë të sigurisë.

Gjatë kontrollit u konstatuan dhe sekuestruan sende të ndaluara, përfshirë sende të improvizuara prerëse, kabuj, materiale të tjera të palejuara dhe qarqe të modifikuara elektrike. Në një rast u evidentua një sasi e dyshuar lënde narkotike, për të cilën janë ndjekur procedurat përkatëse ligjore.

Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur edhe transferimi i dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, të cilët paraqisnin rrezik për sigurinë.