Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka hedhur akuza gjatë seancës së sotme në Kuvend lidhur me gjendjen në Spitalin e Lushnjës, duke ngritur shqetësime për mungesë shërbimesh dhe kushte të papërshtatshme.

Në reagim zyrtar, Ministria e Shëndetësisë ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si deklarata politike që nuk pasqyrojnë situatën reale në terren.
Sipas Ministrisë, Spitali i Lushnjës ndodhet aktualisht në proces rikonstruksioni, çka ka sjellë riorganizim të përkohshëm të shërbimeve, por pa ndërprerë asnjë prej tyre për qytetarët.
Autoritetet sqarojnë se:

Nuk ka mungesë të materialeve bazë si pambuk apo alkool, ndërsa furnizimi vijon normalisht.Asnjë shërbim nuk është ndërprerë. Shërbimi gjinekologjik është zhvendosur përkohësisht brenda ambienteve të spitalit.

Aparatura e mamografisë është funksionale dhe në shërbim të pacientëve. Ministria thekson se spitali vijon aktivitetin normal, duke garantuar shërbim dhe siguri për pacientët, pavarësisht punimeve në zhvillim.