Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka reaguar pas arritjes së një armëpushimi 15-ditor mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke theksuar ndikimin e drejtpërdrejtë që kjo marrëveshje pritet të ketë në tregjet ndërkombëtare dhe në çmimet e karburanteve në vend.
Në një reagim në rrjetet sociale, Vengu shprehet se ky zhvillim mund të sjellë rihapjen e qëndrueshme të ngushticës së Hormuzit, një arterie kyçe për transportin global të naftës, ndërsa shton se efektet e para janë reflektuar tashmë në rënien e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Ai nënvizon se kjo ulje duhet të pasqyrohet edhe në tregun vendas, duke kërkuar që çmimet me pakicë të ndjekin të njëjtin trend.
Reagimi i plotë i Pirro Vengut:
“Armëpushimi 15-ditor mes SHBA dhe Iranit mund të rihapë në mënyrë të qëndrueshme ngushticën e Hormuzit. Efektet e para janë reflektuar tashmë në çmimet e naftës.
Kur çmimet ndërkombëtare bien, çmimet në shitjen me pakicë duhet të bien gjithashtu dhe në të njëjtën masë.
Qeveria dhe agjencitë ligjzbatuese kanë garantuar përgjatë kësaj periudhe një kontroll efektiv dhe masa zbutëse ndaj presionit të çmimeve.
Të njëjtat mekanizma do të garantojnë që, i gjithë zinxhiri nga importuesit te distributorët, askush mos të përfitojë nga kriza. As dje, as sot, as nesër.”




















