Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla akuzoi opozitën për mungesë respekti ndaj dëshmorëve të 2 Prillit 1991 dhe kërkoi 1 minutë heshtje.
“Keqardhja më e madhe vjen nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike që bën zhurmë kur kërkohet 1 minutë heshtje në përkujtim të dëshmorëve të demokracisë”, u shpreh Balla.
Përtej debatit politik, ai u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke theksuar se Shqipëria ndodhet në një fazë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas Ballës, vendi ka bërë progres të ndjeshëm, duke përmbushur dhjetëra kërkesa në kapitujt themelorë dhe duke avancuar në procesin e IBAR-it.
Ai ftoi opozitën për debat mbi integrimin dhe reformën zgjedhore, duke theksuar se objektivi është garantimi i standardeve europiane për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe ato parlamentare të 2029-ës.
Balla nënvizoi se zgjerimi i Bashkimit Europian është bërë prioritet strategjik për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, ndërsa Shqipëria, sipas tij, është ndër vendet me progresin më të dukshëm në rajon.
Fjala e plotë
Zonja e zotërinj deputetë, sot është 2 prill 2026, 35 vite më parë 4 dëshmorë demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka… të lutem pak respekt për 4 dëshmorët e demokracisë së 2 prillit, ti ndoshta nuk e di, sepse nuk të lidh asgjë me Partinë Demokratike, dhe siç e thonë shumë kolegë të Partisë Demokratike, je problemi brenda Partisë Demokratike…në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, sot në 2 prill do ishte në nderin e Kuvendit të Shqipërisë të merrnim edhe 1 minutë heshtje në përkujtim të 4 dëshmorëve të demokracisë, në vlerësimin që u takon në këtë 35-vjetor. Ndërkohë që përkujtojmë me dhimbje dëshmorët e 2 prillit, keqardhja më e madhe vjen nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike që bën zhurmë kur kërkohet 1 minutë heshtje në përkujtim të dëshmorëve të demokracisë. Megjithatë, kjo është degradimi më kuptimplotë i asaj që nuk ka mbetur më nga Partia Demokratike as dinjiteti minimal për të respektuar për ata që kanë një kontribut që me jetën e tyre na treguan se si duhet të sillemi. Dhe në përkujtim të 35-vjetorit të 2 prillit… zoti kryetar është një zhurmues i cili prish solemnitetin e këtij momenti të Kuvendit të Shqipërisë… më duhet të hedh pak sytë edhe nga 31 marsi i vitit 1991, si zgjedhjet e para pluraliste. Sot pas 35 vitesh është në detyrën e Kuvendit të Shqipërisë që pas 35 vitesh nga zgjedhjet pluraliste ne të mendojmë se si duhet të adresojmë zgjedhjet në Shqipëri, se si duhet të përmbyllim domosdoshmërisht çdo reformë zgjedhore në Shqipëri, dhe se si duhet të garantojmë që Shqipëria jonë në përbashkët në 2027-ën të zhvillojë zgjedhje vendore me standardet më të mira, ku të kemi adresuar plotësisht të gjitha rekomandimet që vijnë nga OSBE ODHIR-i, dhe si në 2029-ën ne të jemi gatshëm për zgjedhjet parlamentare, e pse jo, në të njëjtën kohë me zgjedhjet parlamentare të kemi këtu në Shqipëri dhe zgjedhjet e para për Parlamentin Europian. Nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria jonë sot është në një fazë intensive përfundimtare të përafrimit tonë me Bashkimin Europian. Njëlloj siç e donte Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, Shqipërinë si gjithë Europa. Këta 4 dëshmorë të demokracisë sonë sot flasin dhe na kujtojnë se si duhet të sillemi ne. Se si duhet të sillemi përkundrejt këtij momenti historik. Mua më vjen mirë që pas një fushate zgjedhore të 11 majit 2025, ku ju krahu i djathtë i kësaj salle nuk e kishit Europën në qendër të diskursit tuaj politik, që na akuzonit ne se po gënjejmë se gjatë këtij mandati historik të katërt ne do të përmbyllim marrëveshjen tonë të anëtarësimit, sot vini dhe kërkoni një debat për integrimin. Jeni të mirëpritur. Kur të doni si ta doni ta bëjmë një debat për integrimin. Një debat për të parë ku ishim, ku jemi, dhe ku do të shkojmë deri në realizimin e vizionit tonë Shqipëria 2030 anëtare e Bashkimit Europian. Në vitin 2013, kur Edi Rama dhe Partia Socialiste morën besimin e qytetarëve për të qeverisur vendin, Shqipëria jonë nuk ishte as vend kandidat. Kishte aplikuar diku mes fushatës zgjedhore të 2009-ës për statusin e vendit kandidat, i cili u përzje me aromën e keqe të një privatizimi të turpshëm të një kompanie të energjisë elektrike, tek një kompani çeke e cila kishte presidencën e atij viti, dhe ndërkohë dy vende të tjera: Serbia dhe Mali i Zi… Mali i Zi përpara Serbia mbrapa, jo vetëm që ishin statusin vend kandidat, por kishin hapur dhe negociatat ne s’ishim akoma në 2013-ën, një vend kandidat. Dhe nga ai moment e deri më sot, Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt si Shqipëria e sot është vendi i parë që kalon nga mekanizmi i ri që është procesi i IBAR-it, i cili është metodologjia e re e zgjerimit për ata që dinë ta kuptojnë këtë proces. Dhe ky është një provim dhe i IBAR si proces është një provim për fazën e mbylljes së kapitujve dhe një mekanizëm i ri që garanton cilësinë dhe qëndrueshmërinë e reformave. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është një proces i cili bazohet mbi meritën. Dhe është fakt që brenda vetëm një viti të vetëm Shqipëria jonë e përbashkët as e majta as e djathta, as e socialistëve as e demokratëve, por e gjithë shqiptarëve ka përmbushur dhe adresuar 92 hendeqe të identifikuara, vetëm në kapitujt 23-24 të grupkapitullit themeloreve. Dhe kjo përfshin pa asnjë dyshim reformën në drejtësi, administratën publike që hej zot na ruaj se si e gjetëm administratën në kohën tuaj, dhe shtetin e së drejtës ku janë pastaj edhe gjithë pjesa e të drejtave themelore. Zonja dhe zotërinj deputetë, pavarësisht klithmave, pavarësisht baltës, sot jemi në një fazë të pakthyeshme të procesit. Një proces që e kemi nisur ne, do ta mbyllim ne. Me Edi Ramën, kryeministër, dhe Partinë Socialiste një shumicë qeverisëse edhe pas 2029-ës. Dritaret reale të mundësisë sonë për anëtarësim janë sot më të hapura se kurrë. Konteksti gjeopolitik e ka bërë sot zgjerimin një prioritet strategjik të Bashkimit Europian, sikurse e ri-theksoi, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, apo presidenti i Këshillit në komunikimin e fundit para Parlamentit Europian. Vendet që tregojnë progres real dhe këtu Shqipëria lartësohet si vendi që ka progresin më dukshëm, dhe kjo konfirmohet edhe nga raporti i fundit, qoftë ai i progresit i depozituar në fund të vitit të kaluar, por qoftë edhe raporti i fundit mbi IBAR-in, i depozituar nga Komisioni Europian tek Këshilli ku përfaqësohen vendet anëtare. I kemi dëgjuar edhe me kërshëri se si u orvatët për të festuar se gjëja nuk do të mbahet konferenca, se IBAR nuk do të prezantohet, se vendet anëtare kanë disa meraqe. Sigurisht që vendet anëtare gjithmonë kanë pasur meraqe, kush ka thënë që vendet anëtare s’kanë pasur meraqe. Ne kemi kaluar në faza ku kishte dhe vende anëtare që meraqe s’kishin, por meraqe nxirrnin. Për arsye të natyrës politike. Kush mendon që të 27 vendet anëtare janë shumë të gëzuara që Shqipëria po bën këtë progres, ndoshta e ka gabim.
Por e vërteta është që Shqipëria flet me fakte, dhe i vetmi institucion i mandatuar nga vendet anëtare për të bërë një proces vlerësimi është Komisioni Europian. Unë i besoj raporteve të Komisionit Europian. E fundit, zoti kryetar, se kisha shumë për të thënë për këtë çështje, por ndoshta do ta rimarr fjalën. Sa i përket atyre çështjeve që u thanë këtu për, është e vërtetë që e kemi bërë një diskutim të tillë, nuk kemi lënë një datë, kishim thënë do ta bëjmë në 2 shkurt po në 2 shkurt as një pjesë e anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve nuk ishin sepse ishin në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kemi shkelur afatin. Ta përfundoj fjalën. E kemi shkelur afatin, pa dyshim, por jemi në kohën e duhur për ta bërë një debat siç kemi dakordësuar dhe i kam komunikuar edhe ministres për marrëdhënie me parlamentin në respekt të nenit 103, fraksion 1 të rregullores dhe të neneve 18-20 të ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, raporti duhet të jetë sa më shpejt i disponueshëm për të bërë një debat në Kuvendin e Shqipërisë dhe të ecim përpara. Faleminderit.




















