Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me bashkë-raporterët për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ionuț-Marian Stroe dhe Paweł Jabłoński.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka theksuar gatishmërinë e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën në avancimin e reformës zgjedhore dhe asaj administrativo-territoriale.

Pjesë e diskutimeve shkruan Balla më tej në shënimin e tij ka qenë edhe nisma ligjore e ndërmarrë nga mazhoranca për referendumet, si një mekanizëm i ushtrimit të drejtpërdrejtë të sovranitetit nga qytetarët, e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, por ende e parealizuar për shkak të mungesës së një kuadri ligjor përkatës.

Balla nënvizon se Shqipëria vijon të garantojë dhe respektojë të drejtat e minoriteteve, ndërsa në fushën e lirisë së medias thekson se Kuvendi ka miratuar pak javë më parë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët.

Në përfundim, Balla nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në rrugën e reformave drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Postimi i plotë:
“Takimi me bashkë-raporterët për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ionuț-Marian Stroe dhe Paweł Jabłoński. Jemi të gatshëm të ecim përpara sëbashku me opozitën me reformën zgjedhore dhe atë administrativo-territoriale. Diskutuam edhe mbi nismën tonë ligjore për referendumet si forma e ushtrimit të drejtpërdrejtë të sovranitetit të popullit, një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, por e pamundësuar nga mungesa e ligjit. Shqipëria garanton dhe respekton të drejtat e minoriteteve, ndërsa sa i përket lirisë së medias Kuvendi miratoi pak javë më parë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët.

Shqipëria vijon me vendosmëri në rrugën e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shkruan Balla.