Nga Jakin Marena
Partia Demokratike dhe opozita në tërësi po rrëshqet nga dita në ditë drejt humnerës, pa mundur për asnjë moment që të ngrihet në nivelin e një pakice serioze, si në çdo vend të botës!
Nën udhëheqjen e Sali Berishës, 82 vjeçarit të rikthyer nga pensionimi politik në krye të PD për hallet e tij personale, opozita shqiptare po tenton që përmes aplikimit të një strategjie të njejtë, të marrë një rezultat të ndryshëm nga rezultatet që i kanë garantuar humbjen e 4 palë zgjedhjeve parlamentare rresht përballë socialistëve, shtuar në llogari këtu dhe zgjedhjet vendore! Pra, PD dhe opozita kanë ‘rrafshuar’ në masën 100 përqind të humbjeve në përballjet elektorale të të gjitha llojeve me kundërshtarin politik PS dhe Edi Ramën, që nga viti 2013! Një nga rastet më të paprecedenta në Shqipërinë post-komuniste, çka tregon se PD dhe opozita kanë humbur të gjitha shanset reale për të qënë një faktor alternativ, përballë mazhorancës aktuale!
Nuk po përmendim ‘revolucionet’ e paralajmëruara në këto 13 vite në çdo vjeshtë për rrëzimin e Edi Ramës! As premtimet e Berishës para ithtarëve të tij për të ‘shporrur qeverinë e Edi Ramës dhe narkoshtetin e Edi Ramës’! Tashmë janë kthyer në barcaletë këto kërcënime, saqë, jo vetëm Berisha nuk i ka besuar që në krye të herës kur i ka artikuluar, por edhe demokratët e thjeshtë tashmë janë të ‘mbingopur’ me këto premtime, teksa e kanë ndarë mendjen për të qëndruar larg thirrjeve të liderit demokrat e të mbështetësve të tij të afërt, për të dalë në protestat kombëtare!
Nuk po sjellim në kujtesë as këto foltoret e famshme çdo të hënë të Berishës dhe PD, të cilat janë katandisur në atë farë feje, sa më të shumtë në numër janë ato ‘bustet’ e Ramës e qeveritarëve që vendosen nga kupola e PD në podium për të sulmuar qeverinë e socialistëve, se sa mbështetës opozitarë, të cilët as që e dëgjojnë se çfarë thotë! Dhe ata ndjehen në turp për këtë numër të paktë pjesëmarrësish nëpër foltore, të cilët mezi arrijnë tek 20 vetët! Çka tregon se Tirana nuk ofron fare pjesëmarrje në këto protestat kombëtare që thërret Berisha. Me një fjalë, zero mbështetje!
Dhe meqë jemi tek protesta kombëtare e Berishës dhe PD, nuk mund të lëmë pa përmendur këtë të fundit, të datës 17 prill, në bulevardin qëndror përballë kryeministrisë! Pjesëmarrja dihet, ishte në limitet e vobektësisë, më e vogla e tërë historisë politike të PD, parti e cila ka mbajtur gjithnjë vendin e parë për protesta dhe nxjerrjen e njerëzve në shesh! Këtë radhë, jo vetëm që Tirana e bojkotoi tërësisht, por dhe rrethet kanë nisur të merren me punët e veta, sidomos me bujqësinë, pasi janë të bindur se sa të jetë Sali Berisha në krye të PD, jo vetëm që nuk rikthehet opozita në pushtet, por partia për të cilën kanë kontribuuar dhe dhënë votën gjithë këto vite, mund të shkojë në limitet e ekzistencës si subjekt politik!
E themi këtë, sepse një parti politike themelohet dhe vazhdon të ekzistojë në skenën politike për të pretenduar ardhjen në pushtet, implementimin e alternativës së saj qeverisëse në pushtet! Nëse i mush mendjen njerëzve kuptohet! Aq më tepër një mision të tillë ka partia më e madhe opozitare, e cila e drejtuar nga Berisha, për hir të së vërtetës po punon me të gjitha forcat vetëm për të ‘pastruar zonën’ nga partitë e reja e për të qënë ajo e vetmja forcë opozitare, që bashkë me rrënimin e partive të tjera opozitare, po rrënon dita ditës, veten! Pasi nuk po lufton aspak për të ardhur në pushtet! Eshtë ‘shkrehur’ fare, me një fjalë! Punon vetëm për të qënë dyshi në renditje, në skenën politike, anipse distanca me vendin e parë, PS, është tmerrësisht e thellë!
Protesta e fundit e PD ishte me të vërtetë spektakolare, për nga niveli i lartë i dështimit por dhe mënyra e prezantimit. Ishte fund e krye një ‘film’ i parë dhe herët e tjera, por dhe me ‘risi’ për nga mënyra e intepretimit dhe e stimulimit nga ana e deputetëve të PD!
Këtë herë ishte policia e shtetit, e cila nën drejtimin e kryepolicit të ri u paraqit me ‘skenar’ të ri, ‘devijoi’ nga rutina e përhershme, kur pas mbarimit të fjalimit të Berishës, tundjes së flamurit prej tij si një sinjal për të hedhur molotovët e fishekzjarret në godinën e kryeministrisë, policët ndërhynë direkt në turmën e e vogël të mbështetësve të opozitës dhe teksa është përdorur spraj me spec djegës e gaz lotsjellës, kanë bllokuar mbi 45 molotovë si dhe personat e ‘grupit të zjarrit’ të PD që i hidhnin, duke sjellë bllokimin e ‘municioneve’ që do të hidheshin te Kuvendi, te selia e PS e ministria e Brendshme, apo tek xhamia e re, siç ka ndodhur dhe herët e tjera!
Organizatorët e ‘molotovëve’ u kapën në befasi, duke dështuar dhe në sytë e liderit demokrat, për t’u treguar besnikë, të devotshëm e të gatshëm në sakrificë për hallin e Berishës si dhe për karrierën e tyre, që varet nga këto elementë shërbimi ndaj kreut të PD! Dhe këtu fillon barcaleta në PD! Teksa filluan të bënin si viktima, të simulonin si të goditur rëndë nga spraj djegës, dhe mbrojtësi i Interit Bastoni do t’i kishte zili për nga niveli i lartë i interpretimit deputetët e PD, kulmi arriti me shoqërimin drejt spitaleve, ku shiheshin deputetë të PD me pamje mjerane, videot e të cilëve janë kthyer në ‘meme’, duke shënuar shikueshmërinë më të lartë nëpër rrjetet sociale!
Ndërkohë që këto pamje kanë treguar dhe mjerimin në të cilin është zhytur PD dhe opozita, e cila nuk del në protestë për hallin e qytetarëve apo për hallin e vetë opozitës që të marrë mbështetje për të ardhur në pushtet, por del thjeshtë e vetëm për të bërë zhurmë për hallin e Berishës, të cilit i duhet partia nën hyqëm, vetëm për të bërë zhurmë e për të qënë lajm në ndonjë media të huaj!
Ishin të papara pamjet në këto video, të cilat në vend që të sillnin ndonjë keqardhje tek qytetarët, shpërthyen rrjetin me humorin që përcillnin. Madje shoqëroheshin dhe me kolonë zanore dhe motive dasme, nga të gjitha trevat e vendit! Sipas ‘preferencave’! Sepse ‘viktimizimi’ ishte tmerrësisht i trashë! Shtuar këtu dhe talljen e Berishës, i cili foli për cilësinë e sprajit dhe gazit lotsjellës, duke kaluar nga ai i skaduari që ‘përdorej’ herët e tjera tek ai gjerman sade e me efekt të plotë që sipas tij përdorej vetëm për ‘arinjtë’! Vetëm Doktori tallet në këtë mënyrë me të vetët! Madje premton se tallja e tij do të jetë akoma më madhështore në ‘kryengritjen’ e radhës!
Madje deklaroi dhe të paimagjinueshmen, se molotovët i ka hedhur policia nga tarraca e kryeministrisë, ndërkohë që live po në adresën zyrtare të vetë Berishës, pamjet tregonin se “grupi i zjarrit” i hodhi molotovët menjëherë pas tundjes së flamurit nga Doktori në fund të fjalimit! Por Berishës i ka dalë turpi me kohë e vakt, dhe e ka humbur me kohë lidhjen me të vërtetën! Jeton në realitetin e tij paralel, i cili lëviz në mendjen e tij, me fjalët e veta që i dëgjon vetëm vetë!
Berisha i shpalli heronj që nga deputetët që krijuan këto skenat plot humor e viktimizim, nuk e përjashtojmë faktin se u digjnin sytë por jo të ishin ‘këputur’ deri në atë shkallë sa u paraqitën përballë medias, pamje që tashmë po bëjnë xhiron e rrjetit si ‘meme’, e deri te disa nga pjesëtarët e ‘grupit të zjarrit’ që falë skenarit të policisë, u kapën në flagrancë me 45 molotovë të gatshëm, duke e vënë dhe gjykatën përballë pamundësisë së lirimit të tyre, për ‘mungesë provash’!
Protesta e fundit, tepër e vobektë, e PD dhe aleatëve të saj tregoi përfundimisht simbolikën e rrënimit të opozitës shqiptare, e cila sa kohë do të drejtohet nga Sali Berisha, do të vijojë rënien e lirë, pa mundur të rikuperojë as 300 mijë votat që ka humbur në zgjedhjet e vitit 2025 në raport me ato të vitit 2021, të cilat nuk e sjellin në pushtet dhe nëse i rifiton, por ama i garantojnë një humbje dinjitoze përballë PS dhe Ramës!
Duhet të kuptohemi, se PS nuk fiton përballë PD për shkak se ka një plak të drobitur si lider opozite përballë, por për ofertën më të mirë që ka dhënë dhe jep për shqiptarët, dhe mbi të gjitha punët e mira që ka bërë, që nga rrugët, ristrukturimi i qyteteve duke i rikthyer në atraksione turistike e të jetueshme, rritjen e pazakontë të turizmit për shkak të investimeve e përmirësimit të imazhit ndërkombëtar, rritjen e sigurisë e mbi të gjitha ecurinë e jashtëzakonshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE! I shohin qytetarët këto zhvillime pozitive, dhe e bëjnë lehtë krahasimin me PD e Berishës, që sa herë ka qënë në pushtet e ka dorëzuar atë ‘tokë të djegur’! E mbi të gjitha, me Berishën kryeministër, shteti dhe të vret! Kujtojmë “Gërdecin’, ’21 janarin’, të fundit këto, pa përmendur tragjedinë e vitit 1997 dhe bëma të tjera!
E për t’u rikthyer tek ‘kryengritja’ që tashmë është kthyer në ‘meme’, vetëm një vit para zgjedhjeve vendore, Berisha po përdor partinë thjeshtë për hallin e vet personal si ‘non grata’ funksional që është dhe si i akuzuar rëndshëm nga drejtësia për një sërë veprash penale. Ndërkohë që deputetët e PD po përdorin dhe ata hallin e Berishës që, përmes besnikërisë, viktimizimit e pamjeve groteske para mediave, të garantojnë rikandidimin për të qënë sërish në Kuvendin e Shqipërisë, në listat e sigurta dhe të mbyllura! Nuk pretendojnë për pushtet këta të PD, pavarësisht se u bënë gazi i botës! Dhe kështu do të vazhdojë me sa duket, për shumë kohë!
Dhe nuk kuptojmë këtë qasje, me sa duket as këto panelet televizive që me se s’bën duan të shpikin një ‘mag(j)yar’ në radhët e opozitës për të shënuar rrëzimin e Berishës dhe marrjen në dorë të opozitës e për të pretenduar pushtetin si në Hungari! Askush nuk mundet të largojë Berishën nga prona e tij, PD! E ka me ‘tapi’! Vetëm se bëhen qesharakë kot nëse e fusin nëpër këto debatet televizive gjetjen njeriu që do ta zerojë drejtimin e Berishës! Salianji jo e jo, pompoje sa të duash! Dhe vetë ai e ka kuptuar, teksa deklaron se nuk ikën për qamet nga PD!
Berisha i ka marrë masat me kohë e me vakt për të mos pasur asnjë shqetësim në krye të PD, pasi shpalli armik këdo që mendoi se mund të garonte përballë tij. Madje shpalli armiq dhe ata që i mbështesin këta demokratë që mendojnë se mund të përballen me të në garën për kreun e PD. I ‘vetëpërjashtoi’ Berisha, me një fjalë, madje dhe i akuzoi si aleatë të krimit!
Në këto kushte, shqiptarët por dhe demokratët, thjeshtë presim kur do të ndalet ‘rënia e lirë’ e PD dhe e opozitës, e cila me sa duket do të shkojë në ‘taban’ vetëm atëherë kur i Plotfuqishmi të vijë dhe ta marrë në gjirin e vet Berishën, larg qoftë ajo ditë! Duhet ta heqim nga mendja, askush nuk pret për ndonjë ‘mag(j)yar’ nga PD dhe opozita! Duhet ta harrojmë këtë! Të shijojmë ‘meme’-t!




















