Në një kohë kur shumë çifte përballen me monotoninë dhe humbjen e shkëndijës në marrëdhënie, një trend i ri po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për rregullin “2-2-2”, një formulë e thjeshtë, por efektive, që premton të mbajë gjallë lidhjen dhe emocionet në çift.
Ky koncept është bërë viral në TikTok, ku përdorues të ndryshëm ndajnë përvojat e tyre dhe mënyrën si ky rregull ka ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet e tyre.
Rregulli “2-2-2” bazohet në tre hapa të thjeshtë:
-Një takim çdo dy javë
-Një fundjavë pushimi çdo dy muaj
-Një udhëtim çdo dy vjet
Një nga videot që tërhoqi vëmendje ishte ajo e krijueses @gem_raye, e cila tregoi se si ajo dhe i fejuari i saj e zbatojnë këtë rregull në jetën e përditshme. Ata organizojnë me radhë takimet dhe përpiqen të surprizojnë njëri-tjetrin, duke e konsideruar këtë një element kyç për të mbajtur marrëdhënien të freskët dhe emocionuese.
Sipas saj, pas gjashtë muajsh praktikimi, ndryshimi ishte i dukshëm: lidhja ishte më e gjallë dhe më e fortë se më parë. Një “hile” e vogël, por me ndikim të madh. Ekspertët e marrëdhënieve e mbështesin këtë ide. Sipas terapistes së specializuar në marrëdhënie, Rebecca Howard Eudy, është shumë e zakonshme që çiftet, sidomos pas disa vitesh, të bien në një rutinë që sjell stres, mërzitje dhe distancim emocional.
“Ajo që ndodh shpesh është se partnerët fillojnë të jetojnë paralelisht, si dy anije që kalojnë pranë njëra-tjetrës pa u takuar,” shpjegon ajo. “Rregulli 2-2-2 ndihmon pikërisht në parandalimin e kësaj distance.”
Sipas saj, shumë njerëz gabojnë duke menduar se një marrëdhënie mund të funksionojë pa përkujdesje të vazhdueshme. “Ne shpesh i trajtojmë marrëdhëniet si kaktusë, duke pritur që të mbijetojnë me minimumin e kujdesit, ndërkohë që fokusohemi në gjithçka tjetër. Ky rregull i rikujton çiftet se lidhja kërkon vëmendje dhe përkushtim,” shton ajo.
Ekspertët theksojnë se vendosja e këtyre “pikave kontakti” të rregullta jo vetëm që ndihmon në forcimin e lidhjes, por edhe krijon pritshmëri pozitive dhe emocione të reja në marrëdhënie. Rregulli “2-2-2” mund të mos jetë një formulë magjike, por është një kujtesë e rëndësishme: dashuria ka nevojë për kohë, përkushtim dhe përpjekje të vazhdueshme për të qëndruar e fortë.










