Bjorn Runa

Ngjarja kryesore e kësaj jave në Tiranë ishte Samiti i IV-të i Diasporës, ku gjatë katër ditëve në kryeqytet u mblodhën shqiptarë nga e gjithë bota, për të marrë pjesë në këtë organizim, ku vëmendja kryesore iu dha performancave kulturore, fjalimeve dhe sigurisht medaljeve që iu akorduan disa prej personazheve më të dalluara në vendet ku jetojnë, ose për kontributin e tyre ndaj çështjeve të ndryshme shqiptare. Estetikisht i gjithë organizimi ishte i ngrohtë dhe madje elegant, ndonëse siç ndodh shpesh në raste të tilla, i dominuar nga një qasje folklorike ndaj ndjesisë së përkatësisë.

Megjithatë, Samiti funksionoi dhe në njëfarë mënyre ia doli të përmbushte qëllimin e vet më imediat: t’i bënte shqiptarët që jetojnë jashtë të ndihen mirë me veten, pasi të paktën për këto katër ditë arritën të provojnë, veçanërisht ndaj miqve dhe të afërmve të tyre në Shqipëri, se ia kanë dalë mbanë. Aq sa kryeministri dhe presidenti i shtetit amë vendosën t’i dekorojnë për këtë, duke formalizuar kështu vlerësimin ndaj arritjeve të tyre.

Por ky version i diasporës është, në rastin më të mirë, i pjesshëm.

Për shumicën e shqiptarëve që jetojnë jashtë, veçanërisht ata që janë larguar pas viteve 2010-të apo janë rritur në Perëndim, vetë fjala “diasporë” ngjall një lloj sëkëlldie kur përmendet. Nuk është domosdoshmërisht ofenduese, por thjesht e pasaktë në atë që tenton të përshkruajë. Terma të tillë si “diaspora,” apo “diaspora shqiptare” sugjerojnë një lloj uniteti që në fakt nuk ekziston. Sikur shqiptarët nëpër botë të qenkeshin një lloj fronti i bashkuar me qëllime të përbashkëta dhe të sinkronizuar në marrëdhënien e tyre me atdheun. Është disi ambicioze të mendosh se uniteti mund të kapërcejë kufij dhe oqeane kur në fakt ai është i pamundur të gjendet edhe mes banorëve të një pallati 5-katësh në Tiranë, të cilët të paktën teorikisht ndajnë të njëjtat kërkesa dhe aspirata në lidhje me jetën e tyre të përditshme.

Ky unitet i supozuar nuk ekziston. Ajo çfarë jo vetëm shqiptarët, por njerëzit e çdo kombësie që jetojnë në emigrim përjetojnë, është shpërndarja. Ndahen së pari nga klasat shoqërore të cilave iu përkasin, trajektoret që kanë marrë jetët e tyre në emigracion dhe, në fund, nga intensiteti i ndryshëm i marrëdhënieve që kanë me vetë Shqipërinë. Edhe brenda atyre që shpesh trajtohen si një diasporë e vetme – për shembull shqiptarët e Amerikës si më të zëshmit, po këtu mund të marrim cilindo shtet – diferencat janë të mëdha. Një biznesmen shqiptar në Nju Jork, i cili është i integruar në shoqërinë amerikane dhe gëzon siguri financiare, jeton në një realitet krejt tjetër nga ai i një shqiptari të sapovajtur në SHBA, të cilit shpesh i duhet të bëjë dy a tri punë me orë të zgjatura për pagë minimale dhe përballet çdo ditë me pasiguri ekonomike. Shqetësimet e tyre të përditshme, por edhe marrëdhënia emocionale me Shqipërinë nuk janë të njëjta. Madje, shpesh të dy gjenden në anët e kundërta të një konflikti klasor në shtetin ku jetojnë. Të mendosh se pronari shqiptar i një restoranti në Milano, një inxhinier softueri në Toronto dhe një një pastrues në Athinë përbëjnë një diasporë kohezive me qëllime të përbashkëta poltiike, është në rastin më të mirë optimizëm i ekzagjeruar dhe në rastin më të keq, miopi.

Megjithatë, termi mbijeton sepse është i dobishëm, pasi iu mundëson institucioneve që t’i drejtohen një bashkësie fiktive. “Diaspora” mund të ftohet në takime, mund t’i mbahen fjalime dhe jepen dekorata, ndërsa një popullate e shpërndarë me konflikte interesash nuk ke çfarë t’i thuash dhe mbi të gjitha, s’ke çfarë i premton.

Për këto arsye diaspora, sado e sinqertë në dashamirësinë e shprehur në samite të tilla, tingëllonte në fakt e largët në fjalimet e saj, sikur të fliste nga një realitet tjetër, pothuajse jashtëtokësor. Distanca ishte edhe më e dukshme në mënyrën se si u inskenua i gjithë organizimi, që në pjesën dërrmuese të tij anoi nga simbolizmi i veshjeve tradicionale dhe këngëve e valleve popullore, duke e zhveshur kulturën nga çdo lloj tensioni. Mjafton një pyetje e vetme për ta bërë të dukshmëm këtë boshllëk: a do ta ftonim pastruesin shqiptar nga Athina në të njëjtën skenë me biznesmenin e dekoruar nga Nju Jorku, dhe do t’i jepnim të njëjtin mikrofon? Nëse jo, atëherë samiti s’është tjetër gjë veçse një ceremonial seleksionimi.

Nën simbolizmin e ngjyrave kuq e zi, qelesheve dhe fustanellave, diaspora në Pallatin e Kongreseve nuk arriti të bënte hapin e nevojshëm për t’u larguar nga performanca estetike drejt të qenit më politike.

Problemi tjetër i kësaj paraqitjeje të diasporës qëndron tek krijimi hierarkive mes shqiptarëve të ikur dhe atyre që jetojnë ende këtu. Shqiptari jashtë, veçanërisht ai i suksesshmi, shpesh paraqitet si një qenie më e lartë. Ai është më i aftë dhe më i disiplinuar se shqiptari që nuk ka ikur. Është një fabul deri diku motivuese, por që njëkohësisht deformon një pjesë të mirë të realitetit sepse lë të kuptohet se suksesi jashtë reflekton gjithnjë cilësi individuale, ndërsa ata që nuk kanë ikur, mbeten këtu sepse janë më të paaftë apo më pak ambiciozë, duke injoruar rrethanat që e prodhuan vetë emigracionin si fenomen.

Panorama nuk është më e bukur edhe nëse e kthejmë lenten në krahun tjetër për të parë si e sheh Shqipëria diasporën e saj. Skepticizmi ndaj diasporës, që qarkullon gjerësisht në bisedat e përditshme, edhe pse nuk shfaqet në mjedise zyrtare, nuk është gjithmonë i pabazë. Emigranti që kthehet gjatë verës dhe fillon të diagnostikojë me vetëbesim problemet e vendit mund të ketë edhe të drejtë. Por të thënit e të vërtetës kur nuk rrezikon gjë, kur do të largohesh sërish pas disa ditësh, nuk ka ndonjë peshë.

Marrëdhnëia e shqiptarëve që jetojnë këtu dhe diasporës ndërtohet mbi keqkuptimin e ndërsjellë të të dy palëve. Për diasporën që e sheh nga jashtë, Shqipëria është një problem abstrakt për të cilin mund të gjesh pa fund zgjidhje teorike. Ndërsa diaspora, e parë nga Shqipëria, merr trajtën e leksioneve të disa “jashtëtokësorëve,” që tingëllojnë bukur kur i dëgjon, por nuk mund t’iu besosh kurrë plotësisht. Diaspora e idealizon atdheun, ndërsa atdheu e injoron diasporën, duke e bërë të pamundur një përballje serioze mes të dyjave.

Çka na kthen sërish tek samiti që, në vend që të ofronte zgjidhje të këtyre kontradiktave, na kërkon vetëm t’i harrojmë ato për katër ditë, për hatër të një imazhi të mirëkuruar dhe që funksionon pikërisht sepse shmang kompleksitetet që do duhej t’i adresonte.

Ne kemi natyrisht një diasporë të konsiderueshme, por problemi është se e paraqesim atë si di]ka koherente dhe të bashkuar ,kur në të vërtetë ajo është krejt e kundërta. Diaspora është e shpërndarë, jo e njëtrajtshme dhe brenda saj ekzistojnë një sërë kontradiktash dhe nuk mund të mblidhet e të përfaqësohet aq lehtësisht saç sugjerojnë organizime të tilla. Një samit i sinqertë do të fillonte duke pranuar se ajo që ne e quajmë diasporë, në fakt përbëhet një sërë interesash konkurruese, dhe se angazhimi i vërtetë me to kërkon konflikt. Derisa kjo nuk ndodh, ndoshta është më e saktë të thuhet se diaspora, ashtu siç e paraqesim, nuk ekziston. Ekziston vetëm nevoja jonë për ta patur atë.