Deklarata me gjuhë “puniste” e grupit parlamentar demokrat në qershor 1992, largimi i njërit prej themeluesve që do trë pasohej me dhjetra përjashtime të tjera, një proces i nisur në vitet e para të themelimit për të mos u ndalur asnjëherë.
Nëse mendon ndryshe prej liderit, atëherë përjashtohesh. Nuk ka rëndësi cilët janë argumentet dhe ku bazohet mendimi ndryshe, rëndësi kanë mekanizmat e denigrimit të një individi apo grupi individësh që mendojnë ndryshe nga lideri apo shumica. Kjo filozofi ka funksionuar në Partinë Demokratike qysh në fillime. Qershorin e vitit 1992, PD kishte më pak se dy vite që ishte themeluar dhe vetëm dy muaj që kishte fituar zgjedhjet parlamentare dhe do të niste sagën e përjashtimeve të themeluesve të saj. Ndër të parat raste ishte përjashtimi i Gramoz Pashkos nga grupi parlamentar i PD-së. Një deklaratë e deputetit Gramoz Pashko, jashtë rendit të ditës me tone polemike për largimin e paqartë të Azem Hajdarit drejt SHBA-së u ekzagjerua duke u cilësuar si e papërshtatshme dhe e dëmshme. Në një mbledhje urgjente e referuar prej presidentit Berisha, brenda pak orë diskutimesh, deklarata e Pashkos do të cilësohej jo vetëm si e gabuar, por edhe si e rrezikshme për demokracinë dhe për vetë partinë. Në të vërtetë Gramoz Pashko kishte kërkuar shpjegime pse PD kishte sulmuar ashpër liderin kryesor të saj Azem Hajdari, i cili nuk kishte qenë dakord me disa vendime e lëvizje politike të PD-së së sapoardhur në pushtet. Pashko e krahasoi largimin e Hajdarit drejt SHBA-së me arratisjen e shkrimtarit Ismail Kadare nga regjimi komunist. Reagimi i drejtuesve të partisë ishte i shpejtë dhe i ashpër, me vendimin për përjashtim nga grupi parlamentar. I gjithë debati bëhej në sallën e Kuvendit të Shqipërisë ku për ironi, deputetët socialistë që vinin nga PPSh, po mbronin Pashkon si “viktimë” të mungesës së lirisë brenda PD-së.
Përjashtimi i Pashkos u justifikua nga lidershipi i PD-së si një masë për të mbrojtur unitetin dhe imazhin e Partisë Demokratike në një kohë të tensionuar politike. Por në të njëjtën kohë, ai shënoi fillimin e një modeli që do të përsëritej ndër vite: largimin e të gjithë atyre që mendojnë ndryshe prej liderit. Ky episod i hershëm i viteve ’90 tregon se sfida më e madhe e demokracisë shqiptare nuk ishte vetëm përballja me të shkuarën, por edhe ndërtimi i një kulture të re politike brenda vetë partive.
“Shoqërisë shqiptare po i kanoset sërish në derë diktatura. Për këtë arsye, duke respektuar kohën në të cilën jetojmë, duke kujtuar dhe njëherë sakrificën e stërzgjatur që jemi të detyruar të përballojmë, si dhe aktin sublim të studentëve dhe të mbarë popullit shqiptar këto vitet e fundit. Më lejoni zotërinj, që nga forumi më i lartë i shoqërisë sonë të ritheksoj botërisht përgjegjësitë që kemi marrë pas votëbesimit që na ka dhënë populli: ndërtimin e shtetit ligjor, ekonominë e tregut, pacenueshmërinë e të drejtave të njeriut. Koha as i ka falur e as do t’i falë abuzuesit e pushtetit. Mjerë ai që nuk përmbush detyrimet morale që kërkon koha e tij. Pavarësisht nga mekanizmi që u gjet dhe nga artificet që u përdorën, falënderoj grupin parlamentar të Partisë Demokratike për të mirën që më bëri duke më përjashtuar, duke më shpëtuar moralisht nga qenia bashkëfajtor në ato që mendoj se do të ndodhin” ”, theksonte ndër të tjera Pashko në reagimine tij pas përjashtimit.
Tema sjell pjesë nga deklarata e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe reagimi i deputetit të përjashtuar Gramoz Pashko.
Pjesë nga Deklarata e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Grupi Parlamentar e quajti me rëndësi të veçantë të ndalojë dhe të vlerësonte natyrën, synimet e mundshme dhe pasojat e deklaratës së zotit Gramoz Pashko, jo për të vënë në dyshim të drejtën e deputetit për të shprehur mendimet e tij lirisht në Kuvend, por për të hedhur qartësi për politikën dhe qëndrimet e grupit, për të mos lënë shteg e mundësi për keqkuptime, interpretime në mëdyshje ose keqdashëse lidhur me çështjen që preken në deklaratën e zotit Gramoz Pashko.
Qysh në fillim të shqyrtimit të problemit në grup, zoti Gramoz Pashko i bëri përsëri të ditur grupit, se ai vazhdonte t’i përmbahej deklaratës së bërë në Kuvend më parë. Në këto rrethana ishte pra, e drejta dhe detyra e grupit që të dëgjonte mendimet e deputetëve të përcaktonte dhe të mbante një qëndrim të qartë në këtë rast. Në fillim, kryesia e grupit Parlamentar dhe kryesia e Partisë Demokratike sqaruan edhe njëherë, se zoti Azem Hajdari është nisur në SHBA më 23.06.1992, për të bërë një stazh specializimi disamujorë, gjë e cila u miratua dhe nga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Prandaj, nuk kishte aspak vend për të shprehur dyshime ose për të ngritur hipoteza dhe deklarata me shqetësim lidhur me nisjen e zotit Azem Hajdari në SHBA, siç bëri deputeti Gramoz Pashko, aq më tepër tingëlloi absurde, provokuese dhe fyese për demokracinë, paralelizmi i udhëtimit të zotit Azem Hajdari dhe ikjes sfiduese dhe protestuese të shkrimtarit Ismail Kadare, në kushtet e diktaturës komuniste. Duke u nisur nga këto rrethana, shumë deputetë që morën fjalën në mbledhjen e mbrëmshme të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, shprehën keqardhje dhe shqetësim të thellë për veprimin e zotit Gramoz Pashko. E vlerësuan atë si një hap të pa llogaritur mirë dhe me qëllime të caktuara politike dhe jo si një lajthitje e mundshme ose një gjendje e veçantë emocionale mbas ndarjes në aeroport me një koleg ose një bashkëluftëtar. Deputetët shprehën shqetësimin e tyre të madh që një anëtar i grupit të Partisë Demokratike bëri një deklaratë jashtë vendit, jashtë kohës për të krijuar artificialisht një çështje shqetësuese pikërisht në çastin kur tërë vëmendja e Parlamentit duhet t’i kushtohej një ngjarjeje thelbësore, për çështjen kombëtare shqiptare. Ata vlerësuan dhe theksuan pa mëdyshje se deklarata e zotit Gramoz Pashko, i bën një dëm të madh çështjes sonë kombëtare dhe mund t’u shkojë pas qejfit dhe mund t’u shërbejë intrigave dhe propagandës armiqësore të dashakeqësve të kombit shqiptar dhe veçanërisht forcave serbe, që zhvillojnë tani një veprimtari të ethshme kundër popullsisë shqiptare në Kosovë dhe kundër kombit shqiptar në tërësi të cilët janë tepër të interesuara për minimin e demokracisë në Shqipëri. Prandaj, deputetët e vlerësuan këtë veprim të zotit Gramoz Pashko të palejueshëm e të dëmshëm për Partinë Demokratike dhe demokracinë shqiptare në tërësi. Shumë deputetë vunë në dukje se deklarata e zotit Gramoz Pashko nuk ishte një veprim i shkëputur, një rast i izoluar apo një aksident i rëndomtë në veprimtarinë e tij politike në gjirin e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, apo si dhe drejtues i Partisë Demokratike. Ata përmenden në diskutimet e tyre dhe grupi Parlamentar shpesh është vënë në vështirësi nga deklaratat e njëpasnjëshme të zotit Gramoz Pashko, të cilat binin në kundërshtim me politikën që duhet të ndiqte ky grup dhe që janë shfrytëzuar mjaft nga kundërshtarët politike të Partisë Demokratike…
…Për fat të keq në mjaft raste gjejmë dhe praninë e zotit Gramoz Pashko, me deklarata apo qëndrime të tij që zakonisht kemi pasur prirje t’i quajmë “të pamatura”, apo të nxituara. Deklaratën e zotit Gramoz Pashko, deputetët e vlerësuan si një veprim taktik, por në vazhdën e një strategjie të caktuar si një element lufte politike, që inkuadrohet në mënyrë të ndërgjegjshme, apo të pandërgjegjshme në fondin e përbashkët të disa skenave shumë të rrezikshme që kurdisen e vihen në veprim kundër demokracisë në Shqipëri dhe kundër çështjes kombëtare shqiptare, e cila sot ka hyrë në një fazë të re dhe kulmore të saj. Në mbledhje u theksua me forcë se grupi Parlamentar duhet të mbajë qëndrime të vendosura për t’u kundërvënë, siç e kërkojnë interesat e popullit, të kombit dhe të vendit rrezikut të madh që i vjen demokracisë në Shqipëri dhe interesave të larta të kombit tonë nga ndërthurja e veprimtarisë intensive të korrupsionit ekonomik me korrupsionin politik.
Duke përfunduar, sipas udhëzimeve që u bënë nga deputetë të ndryshëm grupi Parlamentar, me votim nominal, miratoi unanimisht, përveç katër deputetëve që abstenuan dhe një deputeti që tërhiqet nga votimi, vendimin përkatës;
1. Përjashtimin, në bazë të rregullores së brendshme të grupit të deputetit Gramoz Pashko, nga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
2. Sugjerimin kryesisë së partisë dhe këshillit kombëtar të Partisë Demokratike të shqyrtojë çështjen e deputetit Gramoz Pashko dhe të përcaktojë qëndrimet e mëtejshme të tij. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Tiranë, 25.06.1992. Faleminderit!
Gramoz Pashko
Lidhur me problemin e Azem Hajdarit. Atij i censurohet intervista. Nga kush dhe përse? Thuhet se i mori leje grupit Parlamentar për t’u larguar, por përse, nuk thuhet. Nuk thuhet pse Azem Hajdari përpara se të ikte ishte i revoltuar apo jo? Ç’ tha ai në mbledhjen e grupit Parlamentar një ditë para se të ikte për disa drejtues të Partisë Demokratike. Nënkryetari dhe themeluesi i Partisë Demokratike ikën disa muaj jashtë shtetit dhe asnjë nga liderët e partisë nuk e përcjell zyrtarisht. Unë kërkoj të nderohet dhe në kam një krim, ndërkohë grupi Parlamentar në mbledhjen e tij sa nuk e bën armik Azem Hajdarin, ndërsa para publikut thotë se ka ikur për shkollë. Kjo tingëllon qesharake se nuk po e kuptoj cilin kërkon të gënjejë grupi Parlamentar, veten e vet, apo popullin? …
..Mendimi i pakicës, brenda grupit Parlamentar, nuk respektohet kurrë.
Të nderuar deputetë, ne jemi në hapat e para të demokracisë, por unë me dhimbje konstatoj faktin se pasioni politik, i ndezur më tepër nga një dëshirë primitive për pushtet se sa nga ndarjet ideologjike po tenton të bllokojë kanalet reale të demokracisë, duke prishur kështu rregullat e lojës. Pasioni ka gjetur më në fund fuqinë e shumicës dhe nën presionet e saj po nxjerr ligjet bankete, urdhra kontradiktorë, e dekrete që s’i shërbejnë demokracisë, po i shërbejnë pushtetit. Pra, pushteti po i kanoset shtetit ligjor. Në emër të lirisë dhe përgjegjësisë time si deputet, shtyhem të deklaroj se shoqërisë shqiptare po i kanoset sërish në derë diktatura. Për këtë arsye, duke respektuar kohën në të cilën jetojmë, duke kujtuar dhe njëherë sakrificën e stërzgjatur që jemi të detyruar të përballojmë, si dhe aktin sublim të studentëve dhe të mbarë popullit shqiptarë këto vitet e fundit. Më lejoni zotërinj, që nga forumi më i lartë i shoqërisë sonë të ritheksoj botërisht përgjegjësitë që kemi marrë pas, votëbesimit që na ka dhënë populli, ndërtimin e shtetit ligjor, ekonominë e tregut, pacenueshmërinë e të drejtave të njeriut. Koha as i ka falur e as do t’i falë abuzuesit e pushtetit. Mjerë ai që nuk përmbush detyrimet morale që kërkon koha e tij. Sot i paraqita këshillit kombëtar të Partisë Demokratike peticionin e zonës time dhe një memorandum ku i kërkoj të mbajë qëndrim ndaj peticionit dhe në, vartësi të këtij qëndrimi, unë do të vendos më pas pozicionin tim. Mësova se këshilli kombëtar nuk begenisi të përfillë peticionin e popullit të zonës time elektorale. Unë jam i obliguar ndaj vullnetit të këtij populli. Prandaj e quaj të pafalshme që ai nuk ma përfilli. Pavarësisht nga mekanizmi që u gjet dhe nga artificët që u përdorën, falënderoj grupin Parlamentar të Partisë Demokratike për të mirën që më bëri duke më përjashtuar, duke më shpëtuar moralisht nga qenia bashkëfajtor nga ato që mendoj se do të ndodhin.




















