Dubai po përpiqet të rikthejë imazhin e stabilitetit dhe jetës normale pas një periudhe të trazuar. Një nga sinjalet më të forta erdhi gjatë fundjavës, kur sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum u shfaq papritur në Atlantis The Palm, ku u pa duke përshëndetur qytetarë dhe familje në një dalje simbolike që u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale.

Kjo lëvizje shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë të autoriteteve për të nxitur besimin dhe për të rikthyer normalitetin, në një kohë kur situata gjeopolitike në rajon mbetet e brishtë. Në këtë kuadër, qeveria ka njoftuar krijimin e një fondi kombëtar prej 1 miliard dirhamësh (rreth 272 milionë dollarë), i cili synon të forcojë industrinë, zinxhirët e furnizimit dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.

Megjithëse jeta e përditshme duket se po rifillon, me shkolla të hapura dhe aktivitete sociale në funksion ndikimi ekonomik mbetet i dukshëm. Bizneset raportojnë rënie të ndjeshme të të ardhurave, ndërsa shumë sektorë po operojnë nën kapacitet.

Në kulmin e sezonit turistik, hotelet në Dubai po përballen me një rënie drastike të frekuentimit. Nga një mesatare prej 80% të zënies, aktualisht niveli ka rënë në rreth 36%. Një pjesë e këtij boshllëku po mbushet nga fenomeni i ashtuquajtur “staycation”, ku banorët vendas zgjedhin të kalojnë pushimet brenda qytetit, duke përfituar nga çmimet e ulëta.

Kriza u thellua pas sulmeve me raketa dhe dronë, që çuan në largimin e dhjetëra mijëra turistëve dhe emigrantëve. Edhe pse shumica janë rikthyer, turizmi mbetet sektori më i goditur. Ambasadat e disa vendeve vijojnë të këshillojnë shmangien e udhëtimeve jo të domosdoshme drejt Emirateve.

Ndërkohë, sfidat shkojnë përtej turizmit. Tensionet në ngushticën e Hormuzit dhe pasiguritë në tregjet ndërkombëtare kanë rritur shqetësimet për stabilitetin ekonomik afatgjatë. Autoritetet po shqyrtojnë masa financiare, përfshirë sigurimin e likuiditetit në dollarë, për të përballuar goditjet e mundshme.