Prania e Roberto Mazzarella në rrjetet sociale, së bashku me analizën e lëvizjeve ekonomike të familjarëve, u mundësoi karabinierëve ta identifikonin dhe ta arrestonin në një resort luksoz në Vietri sul Mare, në provincën e Salernos.

Bosi 48-vjeçar i klanit Camorra ndodhej në vilë me bashkëshorten dhe fëmijët për të kaluar Pashkët, kur nisi operacioni i forcave të rendit. Hetuesit arritën tek ai falë një analize të imtësishme të gjurmëve dixhitale të lëna online, të kombinuara me monitorimin e transaksioneve financiare të rrethit të tij. Në momentin e arrestimit, ai nuk bëri rezistencë.

Mazzarella ishte i përfshirë në listën e të arratisurve me rrezikshmëri të lartë të Ministrisë së Brendshme italiane. Ai ishte në arrati që prej 28 janarit 2025 dhe i kishte shpëtuar arrestimit pas një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata e Napolit.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga autoritetet hetimore, Roberto Mazzarella dyshohet të jetë i përfshirë në një vrasje të ndodhur në kuadër të një përplasjeje të dhunshme mes klaneve rivale të Camorra-s napolitane.

Ngjarja lidhet me konfliktin mes klanit Mazzarella dhe Alleanza di Secondigliano, një konsorcium kriminal i përbërë nga klanet Liçiardi, Contini dhe Mallardo, aktiv në kontrollin e territorit napolitan.

Viktima, Antonio Maione, nuk dyshohet të ketë qenë i përfshirë drejtpërdrejt në përplasjet mes klaneve, por do të ketë paguar për lidhjen familjare me Ivan Maione, i konsideruar nga hetuesit përgjegjës për vrasjen e babait të Mazzarellas, Salvatore Mazzarella.

Në vilën luksoze ku ai u arrestua (një natë kushtonte rreth 1 mijë euro), karabinierët gjetën 3 orë të shtrenjta, rreth 20 mijë euro në para cash, disa dokumente false, celularë dhe dorëshkrime që dyshohet se lidhen me një kontabilitet të mundshëm, për të cilat do të kryhen verifikime të mëtejshme.