Një ambient i konfiskuar nga veprimtaria kriminale është transformuar në një hapësirë publike arti, duke u kthyer në shërbim të qytetarëve dhe në promovim të vlerave shoqërore. Ekspozita “PUBLIK Galeri” përbën një tjetër shembull të përdorimit të pasurive të konfiskuara në funksion të komunitetit, në kuadër të punës së Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Në këtë hapësirë janë ekspozuar punime artistike të realizuara nga punonjës të Policisë së Shtetit, duke sjellë një dimension tjetër të figurës së efektivit, përtej rolit të tij në garantimin e rendit dhe sigurisë. Pikturat dhe fotografitë e paraqitura dëshmojnë angazhimin dhe talentin e tyre në fushën e artit, si një formë shprehjeje që pasuron përditshmërinë e tyre profesionale.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu theksoi se rikthimi i aseteve të konfiskuara në dobi të publikut është tashmë një praktikë e konsoliduar, e cila synon t’i kthejë këto pasuri në hapësira në funksion të institucioneve, komunitetit dhe grupeve në nevojë. Sipas saj, përdorimi i tyre për aktivitete kulturore dhe artistike përcjell një mesazh të qartë për transformimin e tyre në vlera pozitive për shoqërinë.

Në vijim të kësaj qasjeje, Koçiu shtoi se projekte të ngjashme po zbatohen edhe në qytete të tjera. Në Shkodër, një sipërfaqe prej rreth 30 mijë metrash katrorë, e përdorur më parë për mjete jashtë funksionit dhe për prova hetimore, po transformohet në një park rekreativ për komunitetin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, e cilësoi “PUBLIK Galeri” si një simbol të kalimit nga paligjshmëria drejt një të ardhmeje të ndërtuar mbi ligjin, talentin dhe kontributin për shoqërinë. Ai vlerësoi rolin e Policisë së Shtetit, organeve të drejtësisë dhe institucioneve përgjegjëse në sekuestrimin dhe rikthimin e këtyre pasurive në funksion publik, si dhe kontributin e efektivëve që, përmes artit, promovojnë modele pozitive për të rinjtë.

Ekspozita “PUBLIK Galeri” do të jetë e hapur për qytetarët, ndërsa hapësira do të shërbejë në vijim për aktivitete artistike dhe kulturore, duke forcuar lidhjen mes institucioneve dhe komunitetit, si dhe duke promovuar përdorimin e aseteve të konfiskuara në funksion të zhvillimit shoqëror.