Elbasani triumfoi 3-1 në supersfidën e javës së 33-të në Superiore. Sukses i rëndësishëm për verdheblutë, që marrin vendin e parë në renditje.

Shkodranët e nisën mirë ndeshjen me dy raste të shkëyqera, por avantazhin e gjetën vendasit. Tsague përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes mike dhe zhbllokoi takimin në minutën e 22-të.

Xhonatan Lajthia dyfishoi shifrat në minutën e 39-të me kokë, pas një krosimi të marrë nga Bledar Lila.

Pjesa e dytë nisi me Vllazninë më kërkuese dhe Qato ngushtoi shifrat në minutën e 73-të. Megjithatë, shpresat e kuqebluve morën goditjen 4 minuta më vonë.

Lajthia realizoi të tretin për Elbasanin, me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone. Me këtë sukses, Elbasani merr vendin e parë me 62 pikë, 2 më shumë se Vllaznia, që zbret në vendin e dytë.

Pavarësisht kësaj, kampioni do të vendoset në “Final Four”, ku për momentin verdheblutë kanë marrë një avantazh.

Në duelin tjetër, Flamurtari triumfoi 3-1 në shtëpi ndaj Dinamos, në një ndeshje shumë të luftuar.

Vlonjatët iu falën 3 golave të shënuar nga Maksuti dhe shpresojnë te mbijetesa, pavarësisht se mbajnë vendin e fundit me 32 pikë, 3 më pak se Bylis, Vora dhe Tirana.

Dinamo golin e vetëm e shënoi me Koma-n në pjesën e parë, ndërsa me këtë humbje, mbetet në vendin e pestë me 45 pikë.