Përplasja e gjatë mes miliarderit Elon Musk dhe CEO-s së OpenAI, Sam Altman, po hyn në një fazë vendimtare, pasi dy ish-bashkëpunëtorët do të përballen në një gjykatë federale në Kaliforni në një proces gjyqësor që pritet të zgjasë një muaj.

Musk akuzon Altman dhe drejtuesit e OpenAI për mashtrim financiar dhe për braktisjen e misionit fillestar jofitimprurës të kompanisë, duke kërkuar rreth 150 miliardë dollarë dëmshpërblim dhe ndryshime rrënjësore në drejtimin e saj. Nga ana tjetër, OpenAI i hedh poshtë këto akuza, duke pretenduar se Musk është i motivuar nga rivaliteti dhe synon të dëmtojë një konkurrent të rëndësishëm në fushën e inteligjencës artificiale.
Padia e Musk përfshin gjithashtu bashkëthemeluesin e OpenAI, Greg Brockman, si dhe Microsoft, të cilën ai e akuzon për mbështetje në transformimin e kompanisë drejt një modeli fitimprurës. Microsoft i ka mohuar këto pretendime.

Konflikti mes dy figurave kryesore të teknologjisë ka rrënjë të thella. OpenAI u themelua në vitin 2015 nga Musk dhe Altman si një organizatë jofitimprurëse me synimin për të zhvilluar inteligjencën artificiale në shërbim të njerëzimit. Megjithatë, përplasjet mbi drejtimin dhe kontrollin e kompanisë çuan në largimin e Musk në vitin 2018.

Tensionet u përshkallëzuan më tej pas suksesit të ChatGPT në vitin 2022, që shënoi një kthesë të madhe në përdorimin e inteligjencës artificiale nga publiku i gjerë. Musk, i cili ka themeluar kompaninë e tij xAI, pretendon se OpenAI tashmë i shërben interesave komerciale, veçanërisht atyre të Microsoft. Në vitin 2024, Musk ngriti padi duke pretenduar se kishte investuar rreth 40 milionë dollarë dhe ishte mashtruar. Një vit më vonë, ai dhe një grup investitorësh ofruan të blinin asetet e OpenAI për 97.4 miliardë dollarë, ofertë që u refuzua nga kompania.