Bashkimi Europian ka shpenzuar 24 miliardë euro shtese për importet e energjisë që prej fillimit të luftës në Iran për shkak të çmimeve të larta. Janë këto vlerësimet e fundit të Komisionit Europian që evidentojnë dëmin ekonomik që konflikti po i shkakton Europës.
Komisioni propozoi të mërkurën disa masa konkrete për menaxhimin e krizës së energjisë. Planet përfshijnë krijimin e një organi pan europian për të identifikuar me shpejtësi mungesat e mundshme të karburantit për avionët si dhe për të koordinuar çdo lëshim emergjent të rezervave të naftës nga vendet e unionit.
Më herët, Agjencia e Aviacionit Civil në Europë kishte paralajmëruar se avionët mund të përballen më mungesë të karburantit në javët e ardhshme. Në këtë kuadër, i bëri thirrje Komisionit Europian që vendet e bllokut të pezullojnë urgjentisht taksat e aviacionit për të ndikuar në uljen e çmimeve të biletave. Nëse nuk merren masa sipas Aviacionit, reduktimi i fluturimeve ajrore do të dëmtonte ndjeshëm ekonominë europiane, veçanërisht vendet që mbështeten te turizmi.
Europa po përballet për herë të dytë në më pak se pese vjet me krizën energjetike. Sipas Komisionit Europian, edhe nëse i jepet fund konfliktit këtë javë, një pjesë e dëmit ndaj ekonomisë së Europës është bërë tashmë. Bizneset dhe familjet europiane janë goditur jo vetëm nga rritja e çmimit të karburanteve, por edhe me shtrenjtim të produkteve të tjera përfshirë ushqimet, detergjentët, produktet e kujdesit shtëpiak.
Sipas ekonomistëve, Europa mund të bjerë në recesion nëse ndërprerjet e furnizimit me energji thellohen dhe lufta me Iranin vazhdon gjatë gjysmës së parë të vitit.




















