Vetëm 60 kilometra larg Tiranës dhe rreth 25 kilometra nga Elbasani, Gjinari është shndërruar në një destinacion malor gjithnjë e më të frekuentuar nga vizitorë vendas dhe të huaj, në çdo stinë të vitit.

Gjinari ofron një eksperiencë të plotë malore, që nga dëbora në dimër, tek temperaturat e larta gjatë verës. I rrethuar nga pyje të dendura me pisha, kodra të buta dhe ajër i pastër, fshati njihet për vlerat e tij natyrore dhe përfitimet shëndetësore që lidhen me klimën malore. Historikisht, ai ka qenë një vend i preferuar për relaksim dhe rikuperim për vizitorët që kërkojnë qetësi dhe ajër të pastër, një traditë që vijon edhe sot.

Pjesë e programit “100 Fshatrat”, Gjinari i është nënshtruar një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore, që kanë përmirësuar ndjeshëm aksesin dhe kushtet për vizitorët, duke ruajtur njëkohësisht karakterin tradicional të zonës.

Në vitet e fundit, fshati ka njohur zhvillim të ndjeshëm të agroturizmit. Bujtinat dhe fermat lokale ofrojnë mikpritje tradicionale dhe produkte të freskëta vendase. Ndër gatimet më të njohura spikasin byreku i pjekur në saç, oshmari – një pjatë tipike me miell misri, gjalpë, qumësht dhe djathë – si dhe kabunia, që ndërthur shijen e ëmbël me të kripurën, e përgatitur me oriz dhe rrush të thatë.

Përveç gastronomisë, zona ofron edhe mundësi të shumta për aktivitete në natyrë. Një ndër më të preferuarat është ecja drejt malit të Bukanikut, maja më e lartë e zonës, rreth 1831 metra mbi nivelin e detit. Shtegu konsiderohet i lehtë deri në mesatar, çka e bën të aksesueshëm për të gjitha moshat dhe nivelet e përgatitjes fizike.

Një tjetër pikë tërheqëse është liqeni i Gjinarit, një hapësirë e qetë ideale për piknik dhe relaks në natyrë. Gjithashtu, vizitorët mund të eksplorojnë zonën përmes shtigjeve për biçikleta, shëtitjeve me mjete motorike apo aktiviteteve të tjera të turizmit aventurës që banorët po ia shtojnë ofertës turistike të zonës.

Rrugës për në Gjinar gjendet edhe Kisha e Shën Kollit në fshatin Shelcan, një kupolë e vogël me një nef që përfaqëson një nga shembujt më të hershëm të arkitekturës pasbizantine në Shqipëri. Sipas të dhënave historike, kisha daton në shekullin XVI dhe është e lidhur ngushtë me traditën artistike të Onufrit, ndikimi i të cilit mund të shihet në ikonostasin dhe pikturat murale.

Ajo që e bën këtë kishë veçanërisht interesante është stili i saj artistik. Portretet dallohen për shprehjet e qeta, siluetat elegante dhe detajet e rafinuara, të cilat i veçojnë nga arti fetar më i standardizuar i asaj kohe. Këto karakteristika e bëjnë kishën një shembull të rëndësishëm të artit fetar me karakter “qytetar” në Shqipëri.

E rrethuar nga një ambient natyror i qetë, kisha ofron jo vetëm një vizitë kulturore, por edhe një atmosferë relaksuese, duke e bërë një ndalesë ideale për udhëtarët që eksplorojnë zonën e Gjinarit.

Gjinari së fundit, në muajin mars u vesh edhe nga dëbora, duke ofruar një surprizë pranverore për adhuruesit e natyrës. Pyjet dhe pishat madhështore që e karakterizojnë këtë zonë u veshën edhe një herë me vellon e dëborës, duke krijuar një panoramë që të lë pa fjalë.

Gjinari mbetet një nga fshatrat malorë më autentikë në vend, duke kombinuar bukurinë natyrore, traditat e pasura dhe një atmosferë të qetë, vetëm pak kilometra larg kryeqytetit. Qoftë për një arratisje fundjave apo për një qëndrim më të gjatë, ai ofron një përvojë të veçantë në çdo stinë, madje edhe me surpriza të papritura pranverore si dëbora e këtyre ditëve.

Afërsia me zona të tjera turistike, si Belshi, me parkun Shebenik-Jabllanicë apo me Beratin, e shndërron atë në një pjesë integrale të mozaikut të pasur të atraksioneve turistike të vendit.