Kryeministri Edi Rama pranoi gjatë Forumit Ekonomik të Delfit në Greqi se shteti i të drejtës në Shqipëri ka edhe probleme, teksa iu përgjigj një prej pyetjeve të drejtuara nga Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës “Kathimerini”, në panelin e organizuar sot (22 prill).
Por shtoi se të ardhurat dhe investimet janë rritur, turizmi ka përparuar dhe sektorët janë dixhitalizuar, teksa e cilësoi një sfidë të vështirë që po përballohej me anë të punës së vazhdueshme në të gjitha drejtimet.
Gjithashtu Rama u pyet edhe për demografinë dhe emigracionin, për largimin e 500 mijë shqiptarëve gjatë qeverisjes socialiste, por nënvizoi se ashtu sikurse shqiptarët largohen për jetë më të mirë, edhe rikthehen në vend për të investuar.
“Së pari gjysmë milioni nuk është shifër e saktë (500 mijë të larguar). Por shqiptarët kanë vazhduar të largohen dhe është normale për një vend që ka kaluar 50 vjet izolimi të plotë dhe për njerëz që kërkojnë të emigrojnë për një jetë më të mirë. Po ka edhe të dhëna të qarta se po kështu shqiptarët po kthehen., Pra jemi në një moment që shqiptarët edhe largohen, por edhe kthehen”, tha ai.
Më tej kreu i qeverisë e shpjegoi edhe me shifra:
“Por kur mora detyrën prodhimi ynë ishte 10 miliardë euro, aktualisht jemi 27 mld euro. E morëm me 2 milionë turistë dhe kemi 12 milionë turistë, e nisëm me 300 milionë investime dhe tani jemi 1,6 miliardë”.
Kryeministri u pyet edhe për problemet me shtetin e të drejtës në Shqipëri.
“Po punojmë për të, po merremi me të. Çdo vit dhe sapo pashë shifrat e 4 mujorit të parë, jemi në 300 mln euro më shumë të ardhura në krahasim me vitin e kaluar dhe rreth 100 milionë në vlerën e planifikuar, nuk është rritje por edhe se kemi futur inteligjencën artificiale, në dixhitalizim, është patjetër një betejë, kemi edhe probleme por po vazhdojmë të punojmë. Kurrë nuk mbaron punë me shtetin e të drejtës, është moto e përjetshme, ka edhe probleme, por nuk mund të mbyllet këtu”, tha Rama.




















