Në Shkodër, titulli kampion në Kategorinë Superiore mungon prej 25 vitesh. Vllaznia kërkon t’i japë fund kësaj thatësire në këtë sezon dhe duket se është në rrugën e duhur.
Skuadra kuqeblu në orët e fundit ka marrë edhe një motivim ekstra për të arritur këtë objektiv dhe për këtë mendoi kryetari i Bashkisë së Shkodrës që premtoi një shpërblim të majmë për Edi Martinin dhe futbollistët e tij në rast të triumfit të majmë. Një premtim që Benet Beci e bëri publike përmes një postimi në rrjetet sociale.
Njoftimi i plotë i kryebashkiakut të Shkodrës
Kam propozuar një premio të veçantë prej 15 milion lekë të reja për Vllazninë në rast të shpalljes kampione, si një mbështetje konkrete për të bërë realitet ëndrrën që pret i gjithë qyteti. Emocionet kuqeblu rikthehen sot dhe sytë e gjithë Shkodrës janë te djemtë tanë. Sot Vllaznia përballet me Partizanin në një tjetër finale shumë të rëndësishme në këto javë vendimtare të kampionatit. Një ndeshje që vlen shumë dhe që na bashkon të gjithëve në mbështetje të skuadrës së qytetit tonë.
Forca djem!
E gjithë Shkodra është me ju!’




















