Drejtori i Përgjithshmë i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar takime në terren gjatë ditës së sotme me drejt policisë, shefa komisariatesh dhe të sektorëve.

Fillimisht, Hita, zhvilloi takim në Korçë me drejtuesit e policisë dhe shefat e komisariateve. Në takimin që zgjati rreth 1 orë, sipas burimeve, Hita ka dhënë direktiva për goditjen e rasteve të narkotikëve dhe kontrollet e armëve pa leje. Një tjetër porosi lidhet edhe me armëmbajtjen pa leje, si edhe me kontrollet që duhet të jenë të shtuara sidomos në institucionet arsimore dhe më gjerë, për të ruajtur rendin dhe sigurinë e qytetarëve.

Pas takimit në Korçë, ndalesa e radhës ishte me blutë e Elbasanit.

Kryepolici Hita është ndalur në qytetin e Elbasan, ku ka zhvilluar një takim pune me drejtuesit vendorë të policisë. Burime bëjnë me dije se në qendër të diskutimeve kanë qenë porositë e qarta të kreut të policisë për rritjen e efikasitetit në luftën kundër paligjshmërive, me fokus të veçantë goditjen e veprimtarive që lidhen me lëndët narkotike.

Gjithashtu, po sipas burimeve, forcimi i masafve për garantimin e sigurisë në shkolla, ishte një tjetër prioritet i theksuar i takimit. Hita ka kërkuar angazhim maksimal nga strukturat vendore për parandalimin e incidenteve dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet arsimore.

Ky tur inspektimesh synon forcimin e rendit dhe sigurisë publike në qarqe të ndryshme të vendit.