Socialistët dhe demokratët u mblodhën në Këshillin e Mandateve për të treguar edhe një herë tjetër që nuk janë dakord me njëri-tjetrin për shumicën e nismave që depozitohet në Kuvend.
Kryeparlamentari Niko Peleshi i mblodhi për të prezantuar nismën e re socialiste për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, ndërkohë që ende nuk është zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi ndryshimet e shtatorit, shkruan A2.
“Në dijeninë time akoma nuk ka një zbardhje të vendimit të gjykatës kushtetuese. Mos kini merak se nuk do nxitojmë të reflektojmë në rregullore ato çka thotë vendimi, dispozitivi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese pa u zbardhur vendimi”, tha Peleshi.
“Ndryshimet e rregullores të propozuara është pikërisht vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Pra, nuk është se ka patur një iniciativë të mëparshme, një iniciativë paralele ose një nevojë tjetër për ta adresuar”, theksoi Ivi Kaso.
Pavarësisht këmbënguljes së demokratëve që prezantimi të mos bëhej pa patur arsyetimin e Kushtetueses, mazhoranca prezantoi projektin e saj.
“Synojmë të gjejmë një zgjidhje të rolit të komisionit përgjegjës për mbikëqyrjen institucionale sa i përket edhe kohës së fjalimeve të deputetëve. Është propozuar reduktimi nga 10 minuta në 5 minuta. Pasi është bërë seanca dëgjimore në komisionin përgjegjës, bëjmë edhe një seancë tjetër dëgjimore në seancë plenare që është diçka që në vlerësimin tonë si tre propozues nuk bën sens”, tha Taulant Balla.
Me paragjykimin e bazuar në praktikën e mazhorancës, demokratët ngritën edhe njëherë shqetësimin se Partia Socialiste po bën gjithçka për të dëmtuar procedurat parlamentare dhe të drejtat e opozitës.
Deputeti demokrat Koreshi theksoi: “2013, kur ndryshimet për rregullorjen e kuvendit ishin një prej tre kushteve që kërkoheshin për qëllimin e marrjes së statusit të vendit kandidat. Edhe pse kishte Partia Demokratike, prapë ju priti juve”.
“Deputetët të kenë peshën e tyre se nuk janë karton, por janë njerëz që ja thonë gjënë. Një nga gjërat që zvogëlon parlamenti është mosrespektimi i procedurës, sepse rregullorja është gjysma e demokracisë”, tha Bylukbashi.
Amendamente për rregulloren ka përgatitur edhe kryetari i parlamentit, Peleshi duket që synon të zbusë “kërbaçin” socialist për përjashtimet deri në 60 ditë të deputetëve nga seancat.
Një ndryshim që u bë në legjislaturën e kaluar mes protestave me flakadan dhe bllokimit të seancave nga demokratët opozitarë, kreu i Kuvendit propozon që përjashtimet të llogariten me ditë kalendarike dhe jo si ditë pune. (A2 Televizion)




















