Shtatë punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra për moszbatim të hapur të dispozitave ligjore në përmbushjen e detyrave funksionale, në lidhje me një rast të kultivimit të bimëve narkotike në dy ambiente të mbyllura në fshatin Kurtaj, Peqin.
Ngjarja, e zbuluar më 19 mars 2026, ka nxitur një hetim të thelluar disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Hetimi synon përcaktimin e përgjegjësive ligjore për strukturat vendore të policisë që kishin për detyrë parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Punonjësit e përfshirë në procedim disiplinor janë:
Shefi i Komisariatit të Policisë Peqin
Shefi i Krimeve në Volum në këtë komisariat
Një specialist i Policisë Kriminale
Një specialist i Policimit në Komunitet
Ish-shefi i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht në Devoll
Ish-shefi i Krimeve në Volum në Peqin, aktualisht në Devoll
Një ish-agjent i Policisë Kriminale, aktualisht pjesë e një njësie sigurie në Gjadër
Sipas autoriteteve, pezullimi është marrë në bazë të shkeljeve të konstatuara gjatë ushtrimit të detyrës dhe në përputhje me rregulloren e Policisë së Shtetit.
Të pezulluar:
Komisar Altin Gusho, Komisar Danjel Kacaniku,
Nënkomisar Sefer Dushku,
Inspektor Muharrem Zylyfi,
Nënkomisar Bilbil Lita,
Komisar Denis Sinani
Inspektor Arben Koseni.
—
Masat u bënë prezente nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, gjatë paradites së sotme, në një mbledhje të zhvilluar në DPPSH, me gjithë drejtorët vendorë dhe ata të Kufirit.
Drejtori Hita u ka kërkuar prerë të gjithë drejtorëve masa të menjëhershme për të luftuar kultivimin e kanabisit, si dhe qëndrim të rreptë për cilindo punonjës policie që bëhet palë apo nuk përmbush detyrën.




















