Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu këtë të enjte prezantoi drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi. Ceremonia u zhvillua me praninë e drejtuesve dhe punonjësve të sistemit penitenciar.

Gogu gjatë fjalës së tij falënderoi për punën dhe kontributin e dhënë gjatë dy viteve Klevis Qosen ndërsa theksoi se ndryshimi në drejtim lidhet me nevojën për fuqizimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar, në funksion të rritjes së standardeve të administrimit, të disiplinës dhe të përgjegjshmërisë institucionale.

“Ky ndryshim ka të bëjë vetëm me fuqizimin e sistemit. Sot kemi nevojë për më shumë disiplinë në çdo nivel, sepse duhet të sigurojmë që qytetarët të kenë jo vetëm besim, por edhe respekt për institucionet tona,” u shpreh ai.

Ministri Gogu nënvizoi rëndësinë e drejtimit me profesionalizëm, integritet dhe standarde të larta, në përputhje me objektivat e reformimit të sistemit dhe me angazhimet që burojnë nga procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Ai shtoi se forcimi i sistemit penitenciar është pjesë e drejtpërdrejtë e rrugës së vendit drejt Bashkimit Europian, ku standardet europiane kërkojnë institucione më të forta, më efikase dhe më të përgjegjshme në çdo hallkë të tyre.

Kupi shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe u angazhua për të ushtruar detyrën me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të plotë.

“Do ta ushtroj këtë detyrë me profesionalizëm dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie. Do të mbështetem te ekipi, te bashkëpunimi dhe te integriteti institucional për të arritur rezultatet që kërkohen sot nga institucionet penitenciare në Shqipëri,” u shpreh Kupi.