Agjencia Hapësinore Amerikane, NASA, ka mahnitur botën duke publikuar fotografitë e para të realizuara nga astronautët e misionit Artemis II gjatë fluturimit të tyre historik pranë Hënës. Ky set imazhesh nis me një “perëndim të Tokës” (Earthset) spektakolar, ku planeti ynë shfaqet pas një peizazhi hënor të mbizotëruar nga krateret e shumta, duke ofruar një pamje që të lë pa frymë.

Ndonëse NASA nuk ka specifikuar se cili nga anëtarët e ekuipazhit i ka realizuar këto shkrepje ndërsa ata ndodhen në udhëtimin e kthimit, fotografia e “Earthset” sjell ndërmend imazhin ikonik “Earthrise” të vitit 1968, të kapur nga Bill Anders gjatë misionit Apollo 8. Kjo pamje e një planeti blu dhe të brishtë përballë errësirës së pafundme të gjithësisë vazhdon të konsiderohet si një nga dëshmitë më të fuqishme mjedisore në historinë e njerëzimit.