‘Nuk po injoroj asgjë. Thjesht nuk po argëtohem’-Kështu shkruante Romelu Lukaku në një postim të tij në Instagram Story si për të aluduar momentin negativ që po kalon te Napoli.
Në këtë sezon qendërsulmuesi belg është aktivizuar në vetëm 7 ndeshje; 5 në Serie A, 1 në Coppa Italia dhe 1 në Ligën e Kampioneve me vetëm 1 gol të shënuara. Gjigandi belg u frenua nga një dëmtim muskular të pësuar në mesin e muajit gusht për t’u kthyer në janar në dispozicion të Contes. Por pas 6 minutave të luajtur në ndeshjen me Torinon në 6 mars, Lukaku nuk e pa më fushën e lojës.
Kjo edhe për shkak të një dëmtimi tjetër, madje pas pauzës së ndeshjeve të kombëtareve të muajit mars nuk u kthye më në Itali duke preferuar të qëndrojë në Belgjikë për të vijuar me procesin e riaftësimit të tij. Një vendim që nuk është pëlqyer aspak nga Napoli dhe tashmë është krijuar një situatë që mund çojë në largimin e Lukakut nga Napoli në merkaton e kësaj vere.
Ndërkaq, Lukaku ka postuar edhe një tjetër Instagram Story me një mesazh për gjendjen emotive të tij duke përdorur një shprehje motivuese. ‘Momentet e vështira ikin e vijnë dhe disa sezone zgjasin më shumë se të tjerër. Mbahu fort dhe mos u dorëzo’-shkruante Lukaku në postimin tjetër të tij.










