5 prej të arrestuarve në operacionin për goditjen e disa call centerave që mashtronin qytetarë europianë dalin sot për t’u njohur me masën e sigurisë.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Euroneës Albania, alarmi për këtë skemë mashtrimi është ngritur që në vitin 2024 nga autoritetet austriake, ku mijëra qytetarë janë mashtruar me një dëm që dyshohet se kalon 30 milionë euro.

Autoritetet austriake, përmes informacionit të dërguar më 25.11.2024, bëjnë me dije se përgjegjësit e platformave online ALPHASCRYPTO, CAPITALMARKET24 dhe GOLDCAPITAL24 dyshohet se kanë kryer mashtrime me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri, gjatë periudhës 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.

Sipas dosjes, modus operandi i autorëve ka qenë se përmes sjelljeve mashtruese kanë nxitur qytetarët e dëmtuar duke paraqitur rrethana të rreme se paratë e transferuara do të investoheshin realisht. Përmes këtyre mashtrimeve, autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë për veten ose për persona të tjerë, ndërsa të dëmtuarit, për shkak të informacionit të rremë, kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash që në total dyshohet se mund të tejkalojnë 30 milionë euro.

Të dëmtuarit zakonisht kanë hyrë në këto platforma mashtruese përmes reklamave të rreme me personazhe të njohur. Investimet e supozuara nuk janë realizuar kurrë, ndërsa transferimi i fondeve është kanalizuar në një rrjet të ndërlikuar të pastrimit të parave.

Sipas hetimeve, telefonuesit si “këshilltarë financiarë” kanë përdorur programin AnyDesk, duke marrë kontroll nga distanca të kompjuterëve të viktimave. Pjesa më e madhe e adresave IP të autorëve janë maskuar përmes VPN ose Proxy, por në informacionin e dërguar partnerët kanë arritur të identifikojnë disa IP shqiptare, të cilat janë vënë në dispozicion të hetimit.

Zbulimi i autoriteteve austriake

Sipas informacionit të përcjellë nga autoritetet austriake përmes Oficerit të kontaktit më 14.01.2023, rrjeti i call centerave që po hetohet kishte lidhje me dy shtetas, të cilët dyshohet se kanë qenë përfitues fundorë të kriptovalutave të përfituara nga kjo skemë.

Sipas këtij informacioni, bëhet fjalë për shtetasin Mateo Hoxha, i cili dyshohet se ka përfituar në total 3.217.957,71 USD, dhe shtetasin Tedi Agastra, i cili dyshohet se ka përfituar 4.811.154,08 USD.

Po ashtu, nga hetimet rezulton se rreth 8 milionë dollarë janë kthyer në kriptovaluta.