Një projekt i ri energjitik pritet të përmirësojë në mënyrë të qëndrueshme furnizimin me energji në kryeqytet.
Bëhet fjalë për ndërtimin e një nënstracioni të ri në qendër të Tiranës, nëpërmjet një investimi prej 22.5 milionë eurosh.
Financimi i ndërtimit të nënstacionit 110/20kV do të arrihet falë një marrëveshje të nënshkruar sot mes OSHEE Group dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ajo që e bën këtë projekt të veçantë është fakti se nënstacioni do të ndërtohet në nëntokë – një zgjidhje moderne kjo që ka si qëllim të rrisë sigurinë dhe të garantojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në të ardhmen.
Projekti, sipas ministrit, është gjithashtu pjesë e Planit të Masave për Qytetin e Gjelbër të Tiranës (GCAP), në kuadër të programit “Green Cities” të BERZH-it.
Kështu, ky investim lidhet edhe me objektivat për një qytet më të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin.
Ministri Karakaçi e vlerësoi këtë investim si një tjetër shembull të rritjes së besimit të partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve publike të Shqipërisë dhe suksesit të reformës në sektorin energjitik,
“Reforma në sektorin energjetik po jep rezultate konkrete, duke rritur besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve tona publike”, shprehet Karakaçi në postimin e tij.




















