Reali i Madridit sezonin e ardhshëm do të ketë një trajner të ri në vend të Alvaro Arbeloas. Së fundmi emri që është lidhur më shpesh me atë të Los Blancos ka qenë ai i Jurgen Klopp, por ish trajneri i Liverpoolit nuk ka ndërmend që të ulet në stolin e skuadrës merenges.

Por sipas asaj që publikon e përditshmja spanjolle AS, emri i Jurgen Klopp që vlerësohet në maksimum nga Realit të Madridit, duket se nuk figuron mes kandidatëve në audicionet e hapura nga Los Blancos që duket se nuk e kanë me ngut të bëjnë të ditur emrin e trajnerit të ri

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, në fakt Jurgen Klopp duket se po pret të marrë në dorëzim kombëtaren gjermane. Ai nuk e ka me ngut këtë çështje e për më tepër e respekton punën e Julian Nagelsmann, që është aktualisht në pankinën e Die Mannschaft. Kombëtarja gjermane është objektivi i tij dhe deri sa të vijë momenti që ai të ulet në pankinën e 4 herë kampionëve të botës, ai do të vazhdojë që të qëndrojë në rolin e Drejtorit Sportiv të Grupit Red Bull.

Jurgen Klopp u largua nga pankinat në verën e vitit 2024. Shumë ekipe tentuan të marrin trajnerin në radhët e tyre, por ai gjithnjë ka qenë i qartë në deklaratat e tij se kishte nevojë që të largohej për ca kohë nga roli i trajnerit ose të paktën nga tensionet e punës së përditshme në një klub.