Nga Eros Hoxha

Kur Zoti i ndëshkoi me syrgjynosje nga parajsa Adamin dhe Evën, duke i vendosur në hapësirë dhe kohë, ne njerëzit mësuam se çdo gjë, veprimet tona, jetët tona, maten me kohë. Ne mendojmë për kohën tonë edhe në imagjinatat tona; edhe shkenca gjithashtu, por jo për kohën e tashme, por për të shkuarën. Shkenca do që të kthehet pas në kohë, nuk do që të shkojë para në kohë.

Ndoshta njeriu nuk ka aq kohë për të ardhmen ai nuk është i përjetshëm; edhe Adami me Evën do të donin të ktheheshin mbrapa në kohë dhe të mos e hanin mollën e kështu do të qëndronin në parajsë, ndoshta. Ne deshirën për kthimin në kohë e kemi trashëguar prej tyre. Po pse ata e hëngrën mollën? Ata ishin në parajsë, ata kishin kohë!! Ishin në përjetësi, çfarë dëshironin?

Dëshira e tyre i çoi në gabim, apo ata e kuptuan gabimin pasi kaloi koha? Dëshira e tyre për çfarë? Ndoshta për të ardhmen. Ata nuk e dinin të ardhmen, ata nuk e njihnin; ata po jetonin të tashmen, edhe ne po jetojmë të tashmen.

Por çfarë dëshire kemi ne? Të kthehemi pas në kohë apo të shkojmë në të ardhmen?

Çfarë kanë dëshiruar Adami dhe Eva? Të kthehen pas në kohë, apo të shkojnë në të ardhmen? E ardhmja është mister i hyjnores. Mos kanë dashur të njohin hyjnoren? Ndoshta, Apo kanë dashur të jenë vetë hyjnorja?
Prandaj ne duam të kthehemi pas në kohë; ndoshta mendojmë se prej aty mund të planifikojmë të ardhmen, ose veprimet tona. Por e ardhmja i përket hyjnores. Ajo që po mendojmë është blasfemi, por ja që ka shumë njerëz sot që mendojnë kështu ose më mirë të themi në çdo kohë ka patur, mbretër dhe faraona, ose ndoshta të gjithë njerëzit e mendojnë, dhe do të mendojnë për të ardhmen, apo përjetësinë.

Mirë, por çfarë na duhet e shkuara apo e ardhmja? kur ne po jetojmë në të tashmen, Pse njerëzit, në përgjithësi, nuk mendojnë për të tashmen? Pse nuk e dëshirojnë të tashmen? Dëshirojnë të shkuarën dhe të ardhmen. Mos e kemi trashëguar këtë gjë nga paraardhësit tanë? Është një dëshirë?

Ndoshta do të vijë një kohë kur njeriu… Ndoshta, por ne nuk e parashikojmë dot të ardhmen ajo është e hyjnores, koha që po jetojmë është e jona.