Partia Demokratike zhvillon sot protestën e radhës. Tubimi do të fillojë para kryeministrisë në orën 19:00. Policia ka njoftuar se protesta do të zhvillohet deri në orën 22:00. Ndyshe nga protesta e kaluar sot do të rikthehen edhe fjalimet.
Policia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit. Sipas njoftimit zyrtar, parkimi i automjeteve do të ndalohet deri në përfundim të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i mjeteve në këtë aks, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Kufizime të lëvizjes do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Bëhet e ditur se në varësi të ecurisë së protestës, mund të ketë kufizime edhe në rrugë të tjera, ndërsa janë parashikuar devijime të trafikut në rrugë alternative.










