Partia Socialiste këtë të premte ka depozituar në Kuvend kërkesën për përjashtimin nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare të sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Nokës dhe deputetes demokrate, Elda Hoti.

Kjo kërkesë vjen një ditë pas tensioneve dhe debateve të regjistruara në seancën plenare në Kuvend. Sipas kërkesës, PS kërkon 30 ditë përjashtim për Hotin dhe 60 ditë për Nokën.

Deputetja Elda Hoti gjatë seancës së djeshme tentoi t’i hiqte kartën e deputetes nga pajisja për të ndërprerë fjalën e Bora Muzhaqit. Hoti i hoqi kartën deputetes për t’i ndërprerë fjalën teksa opozita kishte bllokuar foltoren.

Balla më pas u ngrit në këmbë dhe debatoi me deputeten Hoti. Kryeparlamentari Niko Peleshi për shkak të situatës së tensionuar ndërpreu seancën për 5 minuta. Në momentin kur kamerat kanë qenë fikur Noka ka hedhur një shishe uji në drejtim të Ballës.

Këtë të premte ka dorëzuar një kërkesë edhe PD për përjashtimin e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla me 60 ditë nga Kuvendi. Në kërkesë, PD thekson se Balla është drejtuar me disa shprehje fyese dhe kërcënuese ndaj deputetes demokrate Hoti.

Në kërkesë shtohet se Balla ka përdorur gjuhë fyese, ofenduese, diskriminuese dhe kërcënuese, tërësisht të papranueshme në drejtim të Hotit. Sipas tyre, Balla me këtë gjuhë ka cënuar rëndë dinjitetin dhe sigurinë e saj fizike.