Nga Kreshnik Spahiu
Dy urimet e para për zgjedhjet në Hungari ishin mesazhi Aleks Soros dhe Sali Berishës.
Të dy u shfaqën të lumtur për humbjen e Viktor Orbán, aleatit strategjik të Donald Trump në Bashkimin Europian.
Por çfarë e bën tragjik-komike festën e Berishës dhe Soros njëkohësisht për zgjedhjet në Hungari?
Dy parti e kanë shpallur Soros në Europë:
1- Partia Demokratike e Berishës
2- Aleanca Qytetare hungareze e Orbanit
Gëzimin e Aleks Soros e kuptojnë të gjithë, por pse feston Berisha për humbjen e aleatit të fundit në Europë?
Sot Tramp-izmit të Berishës i doli boja.
Qeveria amerikane ishte investuar financiarisht, politikisht dhe diplomatikisht në fushatën elektorale në Hungari. JD Vance dhe Marco Rubio kanë shprehur mbështetje dhe kanë vizituar Budapestin. Në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të Viktor Orban mori pjesë zv/presidenti amerikan dhe në lidhje telefonike Donald Trump i bëri thirrje hungarezëve të votojnë mikun e tij Orban.
Humbja e Orban ishte goditja më e madhe ndërkombëtare kundër ndërhyrjes amerikane dhe ruse në zgjedhje.
Si kurrë më parë nuk kishte ndodhur në histori që Trump dhe Putin të investoheshin bashkërisht në zgjedhjet politike të një shteti dhe të humbisnin me 2/3 e votave.
Bastioni i euroskeptikëve dhe i marionetave të Washingtonit dhe Moskës ka marrë goditje unike.
Leksioni hungarez ka prodhuar 4 mesazhe të rëndësishme për establishmentin politik në Shqipëri:
1- Asnjë shtet europian nuk mund të ketë të ardhme dhe siguri në të ardhmen nëse i jep prioritet partneritetit me regjime politike që janë kundër BE-së. Shqipëria është e detyruar të shohë me prioritet anëtarësimin në BE dhe anëtarësimin në borde paqeje provizore, qofshin edhe amerikane.
2- Kryeministri Rama duhet të ndërgjegjësohet që pas 16 vitesh në zgjedhjet e 2029 në pushtet nuk të mban Ivanka Trump, por vota e shqiptarëve, ndryshe do ketë fatin e Orban.
3- Sali Berisha është lideri më i papërgjegjshëm opozitar i cili në 50 vite në politikë është dashur të ishte: pro rus, pro kinez, pro francez, pro serb, pro amerikan, pro europian, pro grek
Turbulencat e tij diplomatike e kanë çuar personalisht në listë të zezë dhe politikisht partinë e tij drejt shkatërrimit.
4- Opozita duhet të nxjerrë një lider të ri si Péter Magyar që të jetë alternativë kundër dyshes Rama-Berisha.
Në Shqipëri tjetër nuk mund të ndryshojë as duke u mbështetur si trampistët e Hungarisë dhe as si trapat e Shqipërisë.
Çudirat e kombit tonë tregojnë sa pak taban kemi në partneritetin ndërkombëtar.
Mjaftuan një palë zgjedhje në Hungari dhe trampistët e Shqipërisë dolën kundër trampistëve të Hungarisë.
Thjesht treguan që s’kanë asnjë lidhje me kauzën anti-Soros, sepse sot festuan së bashku.
Dikur ishte këshillë Machiaveliste që:
“Kur nuk sundon me vota, mësohu të sundosh me miqësi të importuara.”
Gjithsesi populli hungarez tregoi patriotizmin dhe nivelin inteligjencës kombëtare për ti dhënë shuplakë Washingtonit dhe Moskës duke flakur fosilet politike të viteve 90 që po rrezikonin interesat e Hungarisë.
Po ne kur do shporrim kufomat Orbane të Shqiperisë?
Gjithsesi mbetet qesharake pse Trapat e Shqipërisë festuan kundër Trampistave e Hungarisë?




















