Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim në asamblenë e PS-së në njësinë 12, Dajt, Shëngjergj, Zall-Bastar, Petrelë, Baldushk në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se qeveria ka rritur pagat në mënyrë sistematike dhe ka nisur të zbatojë pagesën për vjetërsinë në punë për disa kategori punonjësish.
“Tani, unë e di që sado të rritet ekonomia, nuk është asnjëherë mjaft dhe njerëzit gjithmonë synojnë për më shumë, por ama fakti është që pagat i kemi rritur në mënyrë sistematike dhe tani kemi filluar të paguajmë edhe vjetërsinë në punë. Pra, sot që flasim, mësuesit paguhen për vjetërsi në punë, mjekët dhe infermierët paguhen për vjetërsi në punë, përveç pagës së rritur, ushtarakët paguhen për vjetërsi në punë, punonjësit e policisë po ashtu”, tha Rama.
Sa i përket pensioneve, kryeministri theksoi se do të ketë një rritje të vazhdueshme, pasi tani janë krijuar edhe mundësitë ekonomike për rritjen e pensioneve.
“Nuk ka pasur gjë më normale që kur ne kemi marrë detyrën sesa kërkesa e pensionistëve që: “ore, shikoni, na e rrisni pensionin, se nuk ecet vetëm me indeksimin”. Na rrisni pensionin, kjo është gjëja më normale, por nuk ishte mundësia. Nuk kishte mundësi. Ajo ishte ekonomia që kishim trashëguar dhe duhet të krijonim njëherë mundësinë. Ama, ia dolëm edhe kësaj dhe filloi rritja në janar me atë bonusin e përmuajshëm ekstra, që në janarin e vitit të ardhshëm do të jetë dyfishi; në janarin e 2028-s do të jetë trefishi; në janarin e 2029-s do të jetë katërfishi dhe në janarin 2030 do të jetë pesëfishi”, tha Rama.
Rama e lidhi rritjen e pagave dhe pensioneve me zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar shtimin e të ardhurave në buxhet dhe rritjen e investimeve të huaja. Sipas tij, investimet e huaja janë rritur nga 300-400 milionë euro në vit në mbi 1.5 miliardë euro aktualisht.
“Pra, kjo vjen sepse u rritën mundësitë dhe mundësitë u rritën sepse u rrit ekonomia. Rritja e mundësive vjen si rezultat i rritjes së aktivitetit ekonomik, por vjen edhe si rezultat i rritjes së të ardhurave për buxhetin e shtetit; po vjen si rezultat edhe i rritjes së investimeve të huaja. Ne e kemi filluar këtë punë me 300–400 milionë euro në vit investime të huaja. Sot që flasim jemi mbi 1.5 miliardë”, tha Rama.
Gjithashtu, ai vuri në dukje rritjen e ndjeshme të turizmit.
“Vjen edhe si rezultat i rritjes së turizmit, që e kemi filluar me 2 milionë e ca turistë, ku për turistë na numëroheshin edhe mua me Kujtimin kur dilnim jashtë shtetit. Ne nuk numërojmë pasaportat shqiptare që hyjnë në Shqipëri. Ne numërojmë vetëm pasaportat e huaja dhe vjet kemi numëruar 12 milionë”, tha Rama.




















