Kryeministri Edi Rama këtë të martë ka folur nga ambientet e Kryeministrisë lidhur me marrëveshjen e firmosur mes qeverisë shqiptare nëpërmjet ALBGAZ, Venture Global, një kompani me aktivitet në gazin natyror të lëngshëm të prodhuar në Amerikë, dhe Aktor LNG, një kompani greke me përvojë në këtë sektor. Rama tha se kompania shqiptare ishte në buzë të falimentit dhe mbahej nga subvencionet.
“Ka qenë dikur, njëherë e një kohë, një moment në jetën tonë kur energjia ishte thjesht furnizim për të mbajtur dritat ndezur sa më shumë të ishte e mundur në qarkun e 24 orëve. Jetojmë në një vend ku një dekadë më parë, gjysma e popullsisë paguante për gjysmën tjetër. Kompania jonë e shpërndarjes energjetike deri një dekadë më parë ishte në buzë të falimentit dhe mbahej gjallë nga subvencionet qeveritare.
Sot, historia është krejt ndryshe. Energjia përcakton fuqinë tonë ekonomike dhe ambicien tonë për vendin që zëmë në këtë rajon dhe Europë. Shqipëria ka zgjedhur të kalojë nëpër një proces të dhimbshëm energjetik dhe në kohën që flasim, nuk ka më padrejtësi në sistem, gjithsecili paguan atë që konsumon”, u shpreh Rama.










