Aktorja e njohur e Hollywood-it, Anne Hathaway, është shpallur nga revista e famshme People si “gruaja më e bukur në botë për vitin 2026”.

Ylli 43-vjeçar, e cila u bë e njohur që me filmin “The Princess Diaries” në vitin 2001, ka ndërtuar një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në Hollywood, me role në produksione të mëdha si “Brokeback Mountain”, “Alice in Wonderland” dhe “Les Misérables”, për të cilin fitoi edhe çmimin Oscar.

Këtë vit, Hathaway është pjesë e pesë filmave të rinj që pritet të publikohen në kinema, përfshirë edhe vazhdimin e shumëpritur “The Devil Wears Prada 2”, i cili do të dalë më 1 maj.

Në kopertinën e revistës, aktorja shfaqet me një fustan të zi me pupla të dizajnuar nga Tamara Ralph, duke pozuar me një playlist personale ku përfshihen emra të njohur si Bad Bunny, Billie Eilish dhe Madonna.

Duke folur për karrierën e saj, Hathaway tha se në fillimet e saj ishte shumë e ashpër me veten, por me kalimin e viteve ka ndryshuar qasje: “Kur mbusha 40 vjeç gjeta një ritëm tjetër dhe fillova të shijoj më shumë punën dhe jetën”.

Ajo u shpreh gjithashtu e emocionuar për rikthimin në rolin e Andy Sachs pas 20 vitesh, duke u ribashkuar me aktorë si Meryl Streep, Emily Blunt dhe Stanley Tucci.

“Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme, një gëzim i vërtetë. Ishte si të kthehesha pas në kohë, por me më shumë përvojë”, tha aktorja.

Hathaway shtoi se suksesin e saj ia dedikon edhe familjes, bashkëshortit të saj prej 13 vitesh Adam Shulman dhe dy djemve të tyre, Jonathan dhe Jack, të cilët sipas saj e mbajnë gjithmonë me këmbë në tokë.

Megjithë suksesin e madh, aktorja pranoi se ende përjeton pasiguri të brendshme: “Je gjithmonë në një buzë shkëmbi, por mua më pëlqen ky rrezik. Më motivon të vazhdoj të punoj dhe kur të kthehem pas, të them: ‘Po, ia dola’.”