Justin Bieber u rikthye në Coachella si artisti që hap festivalin pranveror duke shënuar një moment nostalgjie për fansat e tij.

32-vjeçari kaloi një pjesë të madhe të koncertit të së shtunës i ulur përpara një laptopi, duke kënduar hitet e tij të vjetra si “Baby” dhe “Never Say Never”, një homazh i dukshëm ndaj platformës Youtube që e zbuloi.

Ai gjithashtu shfaqi disa nga videot në shtëpi që e bënë të famshëm në moshën 12-vjeçare, duke i projektuar në ekranin e madh dhe duke ndërvepruar me komentet live nga transmetimi në YouTube.

Ky ishte koncerti i tij më i madh live në katër vite, pasi anuloi turneun botëror “Justice” për shkak të problemeve shëndetësore.

Ai e hapi koncertin i vetëm në një skenë pothuajse bosh, duke performuar këngë nga albumet e tij të vitit 2025, “Swag” dhe “Swag II”, përpara se t’i thoshte publikut se donte t’i çonte “në një udhëtim” dhe të rikthehej te repertori i tij i vjetër.

Në mënyrë të përsëritur ai pyeti publikun: “Sa pas ktheheni?”

Bieber luajti edhe videon për të cilën u bë viral së fundmi që nxiti spekulime për gjendjen e tij mendore, ku ai përballet me një fotograf dhe thotë: “Nuk po e kupton, unë jam serioz për atë që bëj.”

I veshur me bluzë me kapuç dhe pantallona të shkurtra në një skenë minimaliste, Bieber u shoqërua nga artistë të ftuar si The Kid Laroi, Wizkid, Tems dhe Dijon.

Bashkëshortja e tij, Hailey Bieber, u pa në publik, së bashku me çiftin e famshëm Timothée Chalamet dhe Kylie Jenner.

Bieber anuloi turneun e tij botëror pasi zbuloi se vuante nga paraliza e fytyrës, një diagnozë të cilën e mësoi në vitin 2022.

Ai publikoi albumin “Swag” në korrik 2025 dhe në shkurt performoi live në Grammy Aëards.

Performanca e tij në Coachella ishte një kontrast i fortë me Sabrina Carpenter që performoi të premten, e cila ofroi një spektakël me temë hollivudiane, veshje të ndryshme dhe skenografi të ndërlikuar.

Artistja kolumbiane Karol G do të jetë artistja kryesore e së dielës në festivalin që zhvillohet në shkretëtirën e Kalifornisë.

Festivali, i cili zgjat dy javë, tërheq më shumë se 100,000 njerëz çdo ditë dhe zhvillohet që nga viti 2002 në Empire Polo Club.