Pak ditë më parë, Partia Socialiste bëri të ditur se ka gati një draft paraprak për ligjin e referendumeve, një nismë që rikthen në vëmendje një çështje të mbetur pezull prej vitesh në politikën shqiptare.

Ekspertët e shohin këtë hap si pozitiv për demokracinë, pasi në thelb ligji synon t’u japë qytetarëve më shumë mundësi për të marrë pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje.

“Nisma është për t’u përshëndetur”, tha Kristaq Kume.

Megjithatë, sipas ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Dashamir Shehi, shpreh dyshime se propozimi mund të ketë edhe prapavijë politike, duke paralajmëruar se mund të përdoret për ndryshime të rëndësishme në reformën në drejtësi.

“Mund të ketë prapavijë politike që përmes referendumit i jepet e drejta pastaj për të ndryshuar këtë ligj, për të ndërhyrë te drejtësia. Ky është vetëm dyshim”, tha Shehi.

Nga ana tjetër, eksperti i çështjeve zgjedhore, Kristaq Kume, kujton se prej rreth 13 vitesh Kuvendi ka pasur detyrimin për të hartuar një ligj të posaçëm për referendumet, por mungesa e vullnetit politik e ka lënë këtë çështje në hije.

“Mungesa e plotë e vullnetit politik për ta bërë këtë detyrë ka bërë që sot ne të jemi pa një ligj të tillë. E rëndësishme është të bëhet jo vetëm për të plotësuar detyrimet në kuadër të anëtarësimit të BE, por realizuam në legjislacion që do të sjellë zhvillim e një demokracie funksionale”, tha Kume.

Shehi dhe Kume kritikojnë opozitën për mungesë angazhimi ndaj kësaj çështjeje, duke theksuar se ajo duhet ta marrë seriozisht dhe të përfshihet aktivisht në proces.

Përfaqësues të mazhorancës kanë deklaruar se drafti i propozuar do të hidhet për konsultim publik, përpara se të vijojë më tej në procedurat parlamentare.