Pirro Vengu ka komentuar procesin e riorganizimit të Partisë Socialiste, duke theksuar se fokusi kryesor duhet të mbetet te qytetarët dhe sfidat e tyre të përditshme.

Vengu u shpreh se në periudhën e fundit ka pasur “shumë zhurmë politike”, por sipas tij, kjo nuk përkon me realitetin e përditshëm të qytetarëve. “Qytetarët nuk jetojnë me zhurmë. Jetojnë me sfidat e përditshmërisë dhe rezultatet që ata kërkojnë nga qeverisja”, tha ai.

Sipas Vengut, në thelb mbetet një pyetje kyçe për çdo forcë politike: “Në fund të ditës, pyetja është shumë e thjeshtë: a po bëhen punë konkrete për njerëzit apo jo?”

Duke u ndalur te drejtimi i gjatë i Partisë Socialiste në pushtet, ai theksoi se për shumë forca politike, një periudhë 13-vjeçare do të sillte shkëputje nga realiteti në terren. Por, sipas tij, PS ka ndjekur një qasje të kundërt.

“Partia Socialiste udhëheq prej 13 vitesh. Për cilëndo forcë tjetër politike do ishte e lehtë në 13 vite të humbiste kontaktin me realitetin e terrenit. Ne bëjmë të kundërtën: 9 javë në territor”, deklaroi Vengu.

Ai sqaroi se kjo nuk është thjesht një prezencë politike, por një proces verifikimi dhe pune konkrete në terren. “Jo thjesht prezencë politike. Verifikim në terren dhe përkthim në projekte konkrete, duke i kërkuar zgjidhjet me pjekurinë kombëtare që kërkon momenti”, përfundoi ai.