Ditën e sotme gjatë mbledhjes së Komisionit të Bujqësisë, deputetët e Partisë Socialiste rrëzuan një nismë të deputetit demokrat, Eno Bozdo për heqjen e akcizës për gazin natyror për industrinë shqiptare të prodhimit.
Socialistët në Komisionin e Bujqësisë rrëzuan një nismë të deputetit të PD-së Eno Bozdo për heqjen e akcizës për Gazin Natyror vetëm për industrinë e prodhimit.
Bozdo tha se heqja e akcizës do të sillte stimulimin për industrinë e prodhimit, sipas tij nisma përafrohet 100% me direktivën e BE-së.
“Heqja e akcizës mbi gazin natyror qe përdoret për qëllime prodhimi dhe jo tregtimi dhe te energjisë, do ja lehtësonte shumë punën kësaj industrie”, tha Bozdo.
Ndërkohë ministria e Financave rekomandoi që nisma e deputetit deputet të rrëzohet duke përmendur faktin se qeveria do të sjellë në fundvit në Kuvend një projektligj tërësisht të ri mbi akcizat.
“Në 3 mujorin e fundit të këtij viti do të sjellim në parlament një projektligj të ri tërësor për akcizat, që do të përmbajë komplet politikën e rishikuar të kuadrit rregullator”, tha Enkelejda Kuçi.
Deputetët socialistë thanë se nisma nuk mund të kalojë për shkak të disa problematikave në paraqiten e saj përfshirë efektet e mëdha në buxhetin e shtetit.
“Humbje e të ardhurave në buxhetin e shtetin. I përgjithshëm, jo konkret”, shtoi deputet i PS-së, Fadil Nasufi.




















