Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, ka ngritur shqetësime të forta për gjendjen ku ndodhet sot PD dhe opozita. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga gazetari Andrea Danglli, Shehi tha se për të fituar zgjedhjet, opozita duhet të prodhojë lidership të ri dhe alternativa të reja politike.

Sipas Shehit, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e frymëzimit dhe rinovimit brenda opozitës.

“Opozita nuk inspiron më, sepse janë po të njëjtët njerëz. Nuk mund të kërkosh mbështetje, duke u rikthyer për herë të tretë apo të katërt me të njëjtin grup dhe të njëjtat ide”, u shpreh ai.

“Nëse opozita do të sjellë figura të reja dhe teza të reja, jam i bindur që zgjedhjet e ardhshme mund t’i fitojë. Por nëse kjo mbetet një përplasje ‘ndërmarrjesh’, atëherë qeveria ka avantazhin e pushtetit dhe të burimeve”, deklaroi Shehi.

Kreu i LZHK-së u ndal edhe te sistemi politik dhe zgjedhor në vend, duke kujtuar se ai është produkt i marrëveshjeve të mëparshme mes palëve politike.