Një operacion për heqjen e rrezikut nga shkëmbinjtë në malin e Torovicës është zhvilluar në Lezhë, me përfshirjen e forcave xheniere, bashkisë dhe Policisë së Shtetit.

Para ndërhyrjes, banorët e zonës u evakuuan dhe rruga u bllokua për siguri.

Më pas u realizua një shpërthim i kontrolluar për të larguar një shkëmb që rrezikonte zonën e banuar dhe kalimtarët.

2025-ën
Drejtori i Emergjencave Civile në bashki, Gjergj Prendi, tha se kjo është faza e dytë e operacionit dhe gjithçka ka shkuar sipas planit.

Sipas tij, shpërthimi u krye me parametrat e duhur teknikë dhe deri tani nuk raportohen dëme.

“Kjo është faza e dytë e operacionit. Edhe pse moti ishte i ftohtë, ndërhyrja shkoi mirë. Nuk kemi dëme dhe do të vijojmë edhe në ditët në vijim me shpërthime të tjera.”- tha ai për mediat.

Ndërhyrjet pritet të vazhdojnë edhe për disa ditë, pasi në zonë ka ende shkëmbinj të tjerë problematikë që duhet të eliminohen përfundimisht.

Shkëmbinjtë në malin e Torovicës kanë qenë prej vitesh një rrezik për banorët dhe për automjetet që kalojnë në këtë aks rrugor.

Problematika ishte identifikuar rreth 9 vite më parë dhe tani po ndërhyhet për zgjidhjen e saj.