Shoqëri Shtetërore për Pyjet… Është kjo formula e re me anë të së cilës qeveria do të përpiqet të menaxhojë pyjet, duke parandaluar zjarret dhe prerjet e tyre. Ministria e Mjedisit ka hedhur në konsultim publik projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e shoqërisë shtetërore të pyjeve”.

“Nevoja për ndërmarrjen e kësaj reforme buron nga mangësitë strukturore të sistemit aktual të menaxhimit pyjor, i cili karakterizohet nga fragmentim institucional dhe mbivendosje kompetencash ndërmjet strukturave shtetërore dhe atyre të qeverisjes vendore, kapacitete të kufizuara teknike dhe financiare në nivel vendor, kontroll i pamjaftueshëm mbi burimet pyjore si dhe zbatim joefektiv i legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, vihet re mungesa e një planifikimi të integruar në nivel kombëtar dhe shfrytëzimi i pamjaftueshëm i potencialit ekonomik që ofrojnë pyjet shtetërore”, thotë Ministria e Mjedisit.

Kapitali fillestar i propozuar është 50 milionë lekë, ndërsa të ardhurat e kompanisë pritet të vijnë nga shitja e drurit, produkteve jo-drusore, bimëve medicinale dhe hyrja në tregjet globale të krediteve të karbonit.

“Përmes themelimit të Shoqërisë Shtetërore të Pyjeve si një shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, synohet rritja e eficencës në menaxhim, duke siguruar ndarje të qartë të përgjegjësive dhe përmirësim të kapaciteteve profesionale dhe teknike. Ky model organizimi mundëson gjithashtu aplikimin e praktikave moderne të menaxhimit, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe politikat kombëtare në fushën e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, njofton Ministria e Mjedisit.

Pasuritë pyjore shtetërore do të transferohen për administrim tek kompania, pa ndryshuar pronësinë publike. Përmes kësaj synohet të arrihet kontrolli dhe menaxhimi më efektiv i burimeve natyrore, duke ruajtur njëkohësisht rolin e shtetit si pronar.

“Efektet e pritshme nga miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji janë të shumanshme. Në planin institucional, pritet një përmirësim i ndjeshëm i menaxhimit të fondit pyjor, përmes një planifikimi më të mirë dhe kontrolli më efektiv të aktiviteteve në terren. Në aspektin ekonomik, parashikohet rritje e të ardhurave për buxhetin e shtetit, si rezultat i zhvillimit të aktiviteteve tregtare të lidhura me pyjet dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të tyre. Në planin mjedisor, pritet reduktim i aktiviteteve të paligjshme, përmirësim i biodiversitetit dhe rritje e sipërfaqeve të pyllëzuara”, thekson Ministria e Mjedisit.

Sipas relacionit që shoqëron draftit qeveria synon të balancojë interesin publik me eficencën ekonomike, duke kthyer sektorin pyjor nga një aset i nën shfrytëzuar në një kontribues të drejtpërdrejtë për zhvillimin rural dhe ekonominë e vendit.