Shanset reale të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 ekzistojnë, por ato mbeten të kushtëzuara nga disa faktorë kyç, si brenda vendit ashtu edhe në vetë BE-në. Në intervistën në podcastin e gazetares Ilva Tare, korrespondenti dhe njohësi i çështjeve europiane, Augustin Palokaj, tha se ky objektiv nuk është i pamundur, por kërkon përputhje të plotë të vullnetit politik dhe përmbushjes së kritereve.
“Vitet 2028-2029 do të ishin për ratifikimin e traktatit të anëtarësimit dhe viti 2030 do të ishte real për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nuk shoh pengesa, nëse do të ketë vullnet politik nga të dyja palët”, shprehet ai. Sipas Palokajt, procesi nuk është thjesht teknik. “Zgjerimi është një kombinim i vullnetit politik në njërën anë dhe i përmbushjes së kritereve nga vendi kandidat në anën tjetër.”
Megjithatë, zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në këtë proces. Çështje si ajo e zwvendwskryeministres Belinda Balluku dhe mënyra se si janë menaxhuar publikisht nga qeveria, përfshirë qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, perceptohen nga partnerët europianë si test për standardet demokratike dhe shtetin e së drejtës.
“Këto janë çështje që shihen me shumë vëmendje në Bruksel, sepse tregojnë se si funksionon realisht shteti i së drejtës dhe sa seriozisht merren parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thekson Palokaj. Sipas tij, çdo devijim nga këto standarde krijon hezitim në vendet anëtare për të avancuar më tej procesin.
Në të njëjtën kohë, edhe opozita shqiptare ka përgjegjësinë e saj në këtë rrugëtim, por jo gjithmonë e ushtron atë në mënyrën më të dobishme për vendin. Retorika e fortë politike, e cila shpesh kalon në denigrim të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, mund të kthehet në një bumerang për vetë procesin e integrimit.
“Opozita nuk duhet të shajë vendin për të fituar vota”, shprehet Palokaj, duke shtuar se “kritika është e domosdoshme, por ajo duhet të jetë e argumentuar dhe të mos dëmtojë imazhin e vendit përpara partnerëve europianë.” Një nga problemet më të mëdha, sipas tij, mbetet mungesa e transparencës dhe sinqeritetit në komunikimin me publikun shqiptar. Të dyja palët politike, në forma të ndryshme, kontribuojnë në krijimin e një perceptimi të shtrembëruar për ecurinë reale të negociatave.
“Në Shqipëri nuk po thuhet e vërteta e plotë për procesin e negociatave”, thekson ai. “Qeveria e paraqet situatën më optimiste seç është në realitet, ndërsa opozita e dramatizon për qëllime politike”. Ky dualizëm narrativash krijon konfuzion tek qytetarët dhe dëmton besimin në vetë procesin e integrimit. Në realitet, Shqipëria ndodhet në një fazë ku progresi është i dukshëm, por jo i mjaftueshëm për të garantuar një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit pa përmbushur të gjitha kushtet dhe pa një klimë të favorshme politike në Bashkimin Europian.




















