Zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut kanë ndezur debat të madh, pasi studentët shqiptarë të drejtësisë janë ngritur në protesta duke kundërshtuar vendimin që nuk i lejon të japin provimet në gjuhën shqipe. Analisti Ervin Karamuço për Euronews Albania, e ka cilësuar këtë si një veprim politik dhe ka paralajmëruar pasoja të rënda për stabilitetin e vendit.

Karamuço u shpreh se “Maqedonia është shtet kartoni, bie për 24 orë pa shqiptarët”. Sipas tij, autoritetet maqedonase e dinë shumë mirë “ku e kanë vijën e kuqe” dhe se çdo përpjekje për të nënvlerësuar shqiptarët mund të çojë në destabilizim të menjëhershëm.

Ai solli në kujtesë raste të mëparshme tensioni, duke përmendur edhe ngjarjen e helmimit të një ambasadori shqiptar në Maqedoni, ku sipas tij ishin të përfshirë shërbimet sekrete serbe.

“Donin ta shpallnin non grata ambasadorin tonë, por ai kishte vetëm një muaj mandat. Këto nuk thuhen shpesh, por janë fakte”, tha Karamuço.

Analisti theksoi se ambasadori shqiptar në Shkup është shumë aktiv dhe shpesh kritikohet nga qarqe të caktuara, duke u ndjekur “nga mbrapa” për çdo deklaratë apo status diplomatik. Karamuço paralajmëroi se nëse vazhdohet me këtë qasje diskriminuese, situata do të përshkallëzohet.