18 Prill 2026 | 18:11
Të paktën pesë persona janë vrarë pasi një person i armatosur hapi zjarr në Kiev përpara se të merrte pengje brenda një supermarketi.
Sulmi në lagjen Holosiivskyi të kryeqytetit la të paktën 10 të tjerë të plagosur, tha kryebashkiaku.
“Mjekët po e transportojnë atë në spital. Të plagosurit po ekzaminohen dhe po u ofrohet ndihmë në vendngjarje”, shkroi kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.
Ndërkohë, për këtë ngjarje ka reaguar edhe presidenti Volodymyr Zelensky, i cili ka shkruar se autori është eleminuar.
“Ministri i Punëve të Brendshme i Ukrainës, Ihor Klymenko, sapo ka raportuar se sulmuesi në Kiev, i cili hapi zjarr ndaj civilëve, është eliminuar”, shkroi Zelensky në X.
“Të gjitha rrethanat po shqyrtohen. Aktualisht, 5 persona janë konfirmuar të vrarë. Ngushëllimet e mia familjeve dhe të dashurve. Dhjetë persona janë aktualisht në spital me lëndime dhe trauma. Të gjithë po marrin ndihmën e nevojshme. Katër pengje janë shpëtuar”, tha Presidenti.
Prokurori i Përgjithshëm Ruslan Kravchenko konfirmoi se katër persona u vranë në rrugë dhe një në supermarket.
I veshur me pantallona të zeza dhe një pallto ngjyrë kafe të errët, autori i vrasjes nuk ishte i maskuar dhe dukej se kishte flokë gri.
Thuhet se ai ishte i armatosur me një karabinë gjysmëautomatike Kel-Teс Sub-2000. Forcat e rendit negociuan me autorin e sulmit për 40 minuta përpara se të sulmonin supermarketin.
Personi i armatosur thuhet se ka lindur në Moskë dhe ka shtetësi ukrainase. Identiteti i tij nuk është konfirmuar ende.




















