Wall Street Journal raporton se Shtëpia e Bardhë po përgatitet të hakmerret ndaj vendeve të NATO-s të cilat sipas presidentit Donald Trump nuk i ndihmuan Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin gjatë konfliktit me Iranin.

Plani parashikon sipas artikullit, largimin e trupave amerikane nga vendet anëtare që nuk konsiderohen bashkëpunuese, dhe spostimin e tyre drejt vendeve që kanë treguar mbështetje më të madhe. Ekspertët nënvizojnë se kjo nuk është një tërheqje totale nga NATO, e cila sipas ligjit nuk mund të ndodhë pa miratimin e Kongresit, por një zhvendosje selektive e forcave amerikane brenda aleancës. Më herët, Trumpi e shfaqi sërish pakënaqësinë e tij dhe e kritikoi NATO-n pas një takimi me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, presidenti amerikan shkroi se: “NATO nuk ishte aty kur ne kishim nevojë, dhe nuk do të jetë aty nëse na duhet sërish.”

Vetë Rutte nga ana e tij e përshkroi takimin për CNN si “shumë të hapur” dhe “shumë të sinqertë”, edhe pse me mosmarrëveshje të dukshme. Detajet e bisedës nuk u bëjnë të ditura, por takimi kishte si qëllim bindjen e presidentit se qëndrimi i SHBA-së në NATO është në interes të Shteteve të Bashkuara vetë dhe të aleatëve.

Trump ka kërcënuar javët e fundit të tërhiqet nga aleanca transatlantike me 32 vende, duke shtuar tensionet brenda saj.