Kataib Hezbollah, një milici pro-iraniane në Irak ka njoftuar se do të lirojë një gazetare amerikane që u rrëmbye në Bagdad muajin e kaluar.

“Milicia vendosi ta lirojë të dyshuarën amerikane, Shelly Kittleson, me kusht që ajo të largohet menjëherë nga vendi”, tha shefi i sigurisë së Kataib Hezbollah, Abu Mujahid al-Assaf.

Sipas tij kjo iniciativë nuk do të përsëritet më në ditët në vijim.

“Ne jemi në një gjendje lufte të zhvilluar nga armiku sionist-amerikan kundër Islamit, dhe në rrethana të tilla shumë konsiderata bien poshtë”, shtoi ai.

Kittleson, një gazetare e specializuar në Lindjen e Mesme, u rrëmbye në Bagdad në fund të muajit të kaluar.

Sipas një burimi të njohur me çështjen, qeveria amerikane e kishte paralajmëruar atë pak para zhdukjes së saj për një komplot të Kataib Hezbollah për ta rrëmbyer ose vrarë atë. Paralajmërimi erdhi ndërsa ajo tashmë po raportonte në Irak.