Militantët e Sali Berishës u gjetën të befasuar dje nga reagimi i beftë i Policisë në protestë, duke goditur menjëherë grupin e zjarrit. Ndërsa, përpjekjet e deputetëve dhe eksponentëve të PD për të kundërshtuar policinë u pasuan nga përdorimi i sprajit me piper.
5 persona mbetën të lënduar, përfshirë edhe Aulon Kalanë, Klevis Balliun dhe Luçiano Boçin, të cilët u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Në mbështetje u shkoi edhe Sali Berisha, e cila e akuzoi drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Skënder Hita se ka hedhur ndaj protestuesve bomba molotov dhe se ka përdorur spraj ariu.
Klevis Balliu u largua nga protesta në lot për shkak të sprajit. Berisha e vizitoi në spital, siç shihet edhe në pamje, ku Balliu duket i shtrirë dhe bluzat e bardha thonë se për ta qetësuar i kanë dhënë paracetamol.
Momenti më epik i vizitës së Berishës, është fraza e një prej zonjave që e shoqëronte, e cila i thotë “Balliu, u shërua tani që erdhe doktor, se nuk ishte kështu”.
Vetë Berisha e ngushëllon dhe i thotë Balliut se do pak kohë që të qetësohet. “E do pak kohë. Se këta përdorin edhe gjëra të skaduara, barbare”, tha Berisha.
Në vizitat në spitalin e Traumës dhe QSUT, në ndihmë të Berishës ka zbritur edhe gazetari i familjes, Çim Peka, i cili shihet në disa momente të vizitës së 5 të plagosurve. Një prej tyre, në momentin që Berisha mbërriti në spital ishte i ndaluar dhe me efektin te koka. Por, kjo nuk e ndali Berishën të hedhë akuza se protestuesit janë dhunuar, siç tha ai, me shqelma si kafshë.
Berisha: Kanë përdorur shqelma si kafshë….
Polici: Është e ndaluar…
Berisha: Çfarë i ndaluar, edhe e kanë gjuajtur me shqelma, edhe e kanë ndaluar. Filmoje pak, filmoje pak…




















