Prokuroria e Tiranës që po heton dy persona për vrasjen e gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja, kërkon akoma më tepër kohë për të dalë në përfundim nëse bashkëpunuan apo jo me njëri tjetrin Elvis dhe Gjon Shkambi.

Për këtë shkak prokurori Ritvan Suka ka vendosur të zgjasë afatin hetimor edhe për tre muaj të tjerë, bëjnë me dije burime jo zyrtare të Top Channel.

Ky vendim u mor nga prokurori i çështjes, i cili po pret ende akt ekspertizat e dy telefonave.

Prokuroria po heton Elvis dhe Gjon Shkambin, përkatësisht nip e xhaxha me njëri-tjetrin, për akuzën e “Vrasjes së funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” ndaj dy qytetarëve që ishin palë në procesin ku gjyqtari u qëllua për vdekje menjëherë pasi shpalli verdiktin.

Prokurori ka kërkuar akt-ekspertizë nga policia shkencore për të zbërthyer telefonat e dy të dyshuarve, që të dy ndodhen në burg, njëri prej të cilëve këmbëngul se nuk dinte asgjë për planet e vrasësit.

Gjyqi civil mbi pronësinë u mbyll me vrasjen e gjyqtarit Kalaja, ndërkohë që, ndryshe nga nipi i tij Elvis Shkambi, i cili nuk është ankuar për masën e arrestit në burg, xhaxhai i tij ka kërkuar lirinë në të gjitha gjykatat.

Ndërkohë, veç hetimit penal, familja e Astrit Kalasë po bëhet gati t’i drejtohet gjykatës, pasi ende gjyqtari i vrarë nuk është shpallur dëshmor.

Fillimisht, familja e gjyqtarit, që u vra në sallën ku shpalli vendimin e fundit, e kërkoi shpalljen dëshmor nga ish-ministri i Drejtësisë, dhe tashmë pritet që autoritetet të përballen në gjykatën administrative me kërkesën për të detyruar shtetin t’i njohë statusin dëshmor i atdheut Astrit Kalasë, ekzekutuar me armë zjarri në datën 6 tetor 2025.