Nga Vilant Xhori
Rizgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike mund të interpretohet si triumf emocional për bazën e mbetur militante të së djathtës. Por, në realitet, ajo është ndoshta lajmi më i mirë politik që mund të merrte Edi Rama për të mbyllur në 2029, pothuajse pa garë, dekadën e tij të dytë në pushtet. Sepse paradoksi i madh i opozitës shqiptare është ky: as shqiptarët dhe as Perëndimi nuk kanë arsye të investohen për të zëvendësuar një “Ramë” problematik me një “Ramë” edhe më të vjetër edhe më problematik.
Themi kështu sepse edhe po t’i marrim të mirëqena të gjitha akuzat e Berishës ndaj Ramës si për korrupsionin, autoritarizmin dhe kapjen e institucioneve — alternativa që ai ofron mbetet, në thelb, një version më i vjetër, më konfliktual dhe më i konsumuar i modelit që vetë denoncon. Pra, është pothuajse e pamundur të bindësh një shoqëri apo aleatët perëndimorë të investohen në një zëvendësim që duket qartazi si degradim dhe jo si përmirësim.
Kjo është arsyeja pse narrativa opozitare ngec pikërisht në çështjet ku duhet të fitonte. Sepse edhe në logjikën e vetë Berishës, Rama del të jetë problemi më i vogël.
Pikërisht për këtë arsye, Perëndimi nuk ka asnjë motiv real për të investuar në largimin e Ramës sepse diplomacia funksionon mbi krahasim alternativash konkrete. SHBA-ja dhe Bashkimi Europian mund të kenë rezerva serioze për mënyrën se si qeveris Rama, por nuk kanë arsye strategjike për ta zëvendësuar. Kjo sepse Rama shihet si një partner i vështirë, por funksional; ndërsa Berisha si rikthim tek një figurë edhe më e vjetër se vetë problemet.
Edhe elektorati shqiptar duket se e ka kuptuar instinktivisht këtë mekanizëm. Revolta popullore nuk lind vetëm nga lodhja ndaj pushtetit. Ajo lind kur ekziston bindja se alternativa është më e mirë se status quo-ja. Por kur opozita paraqitet si rikthim në ciklin e pafund të tranzicionit shqiptar, zemërimi nuk prodhon ndryshim; prodhon, sikurse është provuar deri më tani, thjesht apati.
Në këtë kuptim, ironia e 23 majit është pothuajse perfekte. Berisha u rikthye për të provuar se Rama është i korruptuar, autoritar dhe i konsumuar. Por duke u rikthyer vetë, ai i dha Ramës argumentin më të fortë për të qëndruar: idenë se alternativa mund të jetë edhe më problematike sesa vetë pushteti që kritikon.
Madje, ironia bëhet edhe më therëse nga mënyra se si po prodhohet kjo “rizgjedhje”. Duke përjashtuar çdo kandidaturë reale nga gara, Berisha konfirmoi se Partia Demokratike nuk funksionon më si parti, por si një strukturë e mbyllur rreth një njeriu të vetëm. Pra, demokratët nuk po zgjedhin realisht më 23 maj; është klani që në një process turpërues thjesht po rikonfirmon kryetarin.
Dhe pikërisht këtu mbyllet i gjithë paradoksi. Formalisht duket sikur demokratët po rizgjedhin Berishën. Në realitet, është Edi Rama ai që po përfiton kundërshtarin që i garanton vashdimësinë.










